Lidhje

Korea e Veriut dhe teknologjia e raketave


Zhvillimi i teknologjisë së raketave në Korenë e Veriut ka ngritur shumë pikëpyetje. Si është e mundur që një shtet, qytetarët e të cilit janë vazhdimisht në kufi të zisë së urisë, ka një teknologji të avancuar për ndërtimin e sistemeve të sofistikuara, si ai i raketave balistike? Korrespondenti i “Zërit të Amerikës”, George Putic, ofron këtë shpjegim:

Në këtë video propagandistike, publikuar nga media të kontrolluara nga shteti në Korenë e Veriut, duken rreshtat e pafundme me makineri të cilat prodhojnë pjesë raketash balistike e armë të tjera.

Të arratisurit nga Korea e Veriut, të cilët kanë informacione rreth këtyre fabrikave, thonë se makineritë punojnë sipas konceptit të Kontrollit Kompjuterik Numerik, i njohur ndryshe si KKN.

“KKN është teknologjia 'mëmë' për prodhimin e pajisjeve të ndryshme që përdoren për raketat dhe armët bërthamore. Kjo është diçka veçanërisht e rëndësishme për Korenë e Veriut, pasi vetëm me anë të teknologjisë së Kontrollit Kompjuterik Numerik, ky vend i izoluar mund të prodhojë dhjetra mijëra pajisje për armë dhe elemente të ndërlikuar e precizë për provat bërthamore”.

Duke qenë se printimi i metaleve nuk është gjerësisht i përhapur dhe i lehtë, shumë fabrika në botë punojnë me teknologji klasike, ku pjesët metalike prodhohen duke prerë metalin mekanikisht.

Ndërkohë, me teknologjinë KKN që mori zhvillim rreth mesit të shekullit të 20-të, ky proces kontrollohet nga kompjuterët.

Kjo teknologji krijon shumë mbetje, por makinat janë tërësisht automatike dhe janë brenda në kabina.

“Koreja e Veriut ka një teknologji të Kontrollit Kompjuterik Numerik që i mundëson t’i prodhojë vet pjesët për raketa. Kështu që, sanksionet aktuale që nuk i lejojnë këtij vendi të importojë pjesë për prodhimin e raketave nuk e ndalojnë atë të krijojë raketa dhe të bëjë prova me to. Janë sanksione të kota, që nuk kanë asnjë efekt”.

Ekspertët shprehen se me kalimin e viteve, Koreja e Veriut ka përsosur teknologjinë KKN, si dhe kopjon gjerësisht duke çmontuar pjesët e sofistikuara nga pajisjet e importuara dhe më pas i riprodhon me përpikmëri, pa u shqetësuar për të drejtat e autorit.

Mendohet se Korea e Veriut ka rreth 15,000 makineri KKN; ato gëzojnë statusin gati gati të një heroi në shoqëri dhe shpesh shfaqen në ekran përkrah udhëheqësit suprem.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG