Lidhje

Analistët: Lufta mes SHBA dhe Koresë së Veriut do të ishte katastrofike

  • Brian Padden

Rreziku i konfliktit ushtarak mes Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së Veriut vazhdon të intensifikohet pasi Koreja e Veriut tha dje se po "shqyrton me kujdes" planet për një sulm me raketa ndaj Guamit, një territor i Shteteve të Bashkuara në Paqësor. Kjo erdhi vetëm disa orë pasi Presidenti amerikan Donald Trump tha në lidhje me Korenë e Veriut se çdo kërcënim ndaj Shteteve të Bashkuara do të përballet me "zjarr dhe furi". Megjithatë, qoftë edhe një goditje e kufizuar amerikane kundër Koresë së Veriut do të provokonte sulme vdekjeprurëse që do të mund të përshkallëzoheshin shpejt në një luftë të gjërë bërthamore.

Në skenarin më të mirë, një goditje e kufizuar e Shteteve të Bashkuara ndaj një baze raketash ose ndaj një objekti bërthamor nuk do të dëmtonte seriozisht aftësitë e Koresë së Veriut, por mund të bindëte udhëheqësin e vendit, Kim Jong Un, të kërkojë dialog në vend që të rrezikojë hyrjen në një luftë që ai nuk do të mund ta fitonte.

"Nëse ruan durimin dhe përpiqet të dalë nga kjo situatë përmes bisedimeve me Shtetet e Bashkuara, duke përdorur Kinën dhe Rusinë, ai do të mund të mbijetonte", thotë analisti koreanojugor Shin In-Kyun.

Megjithatë, justifikimi për veprime ushtarake për të eliminuar kërcënimin bërthamor të Koresë së Veriut nuk ka një bazë të fortë, pasi nuk mund të ketë siguri se udhëheqja agresive në Phenian do të vepronte me përmbajtje.

"Ka një mungesë lidhshmërie mes argumentit se Kim Jong Un është i çmendur dhe mund të urdhërojë një sulm dhe argumentit se ai do të ishte mjaft i arsyeshëm dhe nuk do t’i përgjigjej një sulmi të Shteteve të Bashkuara,” thotë analisti Brushe Klingner.

Koreja e Veriut paralajmëroi se do t'i jepte “një mësim të fortë” Shteteve të Bashkuara duke iu përgjigjur me armë bërthamore çdo veprimi ushtarak.

Por strategët ushtarakë thonë se një sulm i kufizuar do të provokonte një sulm vdekjeprurës me artileri dhe ndoshta me armë kimike të Koresë së Veriut ndaj Koresë së Jugut, që do të mund të përshkallëzohej në një konflikt të madh përgjatë kufirit të militarizuar mes dy Koreve dhe do të tërhiqte në luftime mbi 28,000 trupa amerikane të stacionuara në jug.

Koreja e Veriut ka aftësinë të sulmojë me 300.000 predha artilerie në orën e parë të një sulmi që do të mund të godiste gjysmën e popullsisë së Koresë së Jugut, përfshirë 10 milionë banorët e Seulit.

Një sulm më i gjerë ndaj të gjitha bazave raketore dhe bërthamore të Koresë së Veriut ka të ngjarë të përfshijë plane për një pushtim të plotë të vendit.

"Për të garantuar eliminimin e të gjitha aftësive bërthamore dhe raketore të Koresë së Veriut duhet t’i jepet fund regjimit të Koresë së Veriut", thotë Brushe Klingner

Strategët ushtarakë thonë se forcat amerikane do të fitonin në një luftë me Korenë e Veriut, por konflikti do të shkatërronte rajonin dhe do të shkatonte miliona viktima.

Ekziston gjithashtu mundësia që Kina të hyjë në luftë në mbështetje të aleatit të saj, Koresë së Veriut, duke e bërë konfliktin edhe më të përgjakshëm.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG