Lidhje

Arrestohen 7 zyrtarë të doganave


Policia arrestoi të shtunën në mbrëmje 7 zyrtarë të doganave, mes të cilëve edhe ish-nëndrejtoresha e Përgjithshme e Doganave, të akuzuar për “shpërdorim detyre”.

Arrestimet u kryen pas lejes së dhënë nga gjykata e Fierit.

Të shtatë zyrtarët dyshohen si përgjegjës për veprën penale me pasojë zhdukjen e 4.4 milionë litra naftë “virxhin” nga depozitat e kompanisë “Tea Construction & Petrol”, me administrator Adrian Xhillari.

Administratori dyshohet për veprën penale të “Kontrabandë me mallra që paguhen akcizë” dhe është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Policia pasi rezulton i larguar pak muaj më parë jashtë Shqipërisë.

Në maj të këtij viti gjykata e fierit kishte dhënë urdhër për arrestimine tij por nuk ak ende të dhëna se si Administratori i shpëtoi arrestimit.

Prokuroria e Fierit ka dhënë detaje mbi hetimet ku sipas saj ka rezultuar se kompania “Tea Construction & Petrol”, ka marrë lejen nga autoritetet doganore për të transportuar naftën “virxhin” , nga depot e Mëzezit, Tiranë, për në depot pranë Rafinerisë së Përpunimit të Naftës, në Ballsh.

Por, sipas Prokuroisë së Fierit rezulton se kjo sasi nafte (4.4 milionë litra), e cila nuk lejohet të dalë në treg pasi është e cilësisë bruto, nuk ka mbërritur në depozitat në Ballsh, por është shpërndarë nëpër pika karburanti në qytete të ndryshme të Shqipërisë, duke u shitur në treg të lirë.

Krahas pasojave shumë të mëdha në mjetet e qytetarëve, hetimet e Prokurorisë kanë vlerësuar se “zhdukja” e kësaj sasie të madhe nafte, i ka shkaktuar shtetit një dëm që llogaritet në mbi 2 milion euro nga shmangia e pagimit të akcizës.

Prokuroria ka bërë përgjegjës edhe zyrtarët e doganave që kishin për detyrë të regjistronin lëvizjen e sasisë së karburantit nga Mëzezi në Ballsh dhe të monitoronin depozitimin e saj në depot përkatëse.

Dy prej zyrtarëve të arrestuar drejtonin aktualisht degët doganore në Fier dhe në Vlorë.

XS
SM
MD
LG