Lidhje

Korrupsioni në Kinë


Publiku në Kinë po mirëpret vendimin e Partisë Komuniste për të hetuar një nga politikanët më të fuqishëm në vend, ish shefin e sigurisë së brendshme Zhou Yongkang. Analistët thonë se ky hap i presidentit Xi Jinping nuk është vetëm një përpjekje për të fituar më shumë mbështetje për partinë, por një hap i rëndësishëm për të përparuar me reformat e nevojshme ekonomike dhe për të larguar ata që pengojnë ndryshimet. Korrespondeti i Zërit të Amerikës Bill Ide njofton nga Pekini.

Hetimi i Zhou Yongkang-ut po dominon titujt e gazetave dhe diskutimet në Kinë. Edhe pse pritet që ndaj tij të zhvillohet gjyq për korrupsion, ka shqetësime se ai mund të përfitojë lehtësira, duke pasur parasysh pushtetin dhe ndikimin e tij të mëparshëm.

Ekonomisti kinez Hu Xingdou thotë se ndërsa asgjë nuk është e sigurtë, ai beson se presidenti Xi Jinping ka treguar tashmë vendosmërinë e tij për të mos bërë kompromise.

"Hetimi i Zhout është pjesë e një beteje politike, por nuk ka të ngjarë të përdoret thjesht si një shfaqje për luftën kundër korrupsionit. Unë pres që lufta kundër korrupsionit do të vazhdojë dhe zyrtarë të tjerë të lartë do të pasojnë."

Zoti Hu beson se Zhou do të përballet më në fund me akuza në gjyq, por historiani kinez Zhang Lifan është më pak i sigurtë për këtë.

"Ka disa dilemma me të cilat përballen udhëheqësit për rastin e Zhou Yongkangut; si përshembull, a do të bashkëpunojë ai me hetimin, nëse autoritetet do ta përdorin këtë rast për të zbuluar zyrtarë të tjerë të lartë, nëse rasti i tij do të bëhet një rast politik, nëse një klikë anti-partisë mund të përfshihet, ose në se rasti do të trajtohet si një rast i pastër korrupsioni. Është e vështirë të thuash tani për tani."

Zhou ishte një aleat i ngushtë i ish yllit politik në ngjitje Bo Xilai, i cili u dënua me burgim të përjetshëm vitin e kaluar. Disa ish ndihmësa të zotit Zhou janë pushuar nga puna dhe disa përballen tani me hetime kriminale.

Dikur anëtar i Byrosë Politike, organit më të lartë politik në Kinë, vendimi për të hetuar zotin Zhou është shumë simbolik.

Është shumë e rëndësishme gjithashtu, thonë analistët, pasi ndërsa ekonomia e Kinës vazhdon të ngadalësohet, pastrimi i korrupsionit të shfrenuar shihet si një veprim i mirë nga Partia Komuniste dhe nga biznesi.

Analisti politik David Zweig.

"Ka shumë pushtet të shfrenuar e të pakontrolluar në Kinë dhe Zhou është shembulli klasik i një njeriu që mund të keqpërdorë pushtetin. Unë mendoj se ky është një shembull i mirë, mund të jetë disi i papritur për njerëzit në Kinë, por shumë prej tyre e pranojnë se duhet të ketë kufizime në përdorimin dhe abuzimin e pushtetit në sistemin politik kinez. "

Nuk është e qartë sa shpejt do të përballet zoti Zhou me akuzat. Ajo që pritet është që ai të përjashtohet fillimisht nga partia thonë analistët dhe më pas të përballet me akuza kriminale, një përpjekje që do të kërkojë muaj në mos më gjatë.

XS
SM
MD
LG