Lidhje

Tensione në Korsikë


Në Francë, disa i referohen kësaj periudhe si vera e terrorit. Tani, komunitetet në mbarë vendin po punojnë për të lehtësuar plagët dhe për të evituar atë që shumë myslimanë francezë janë të shqetësuar se mund të jetë një reagim i ashpër kundër tyre nga politikanë dhe qytetarë të zemëruar. Tensionet mes komuniteteve janë shtuar në ishullin e Korsikës, të kontrolluar nga Franca, ku myslimanët dhe jo-myslimanët u përleshën në një plazh në muajin gusht. Frika është rritur edhe më tej pasi separatistët e ishullit, që kundërshtojnë qeverinë e Parisit, thanë se janë të armatosur dhe gati për ta marrë kontrollin në duart e tyre në se grupi Shteti Islamik kryen sulm në ishull.

Nuk ka patur asnjë paralajmërim terrorist për Korsikën, por ndërsa vera po përfundon, plazhet e ishullit janë bërë një pikë qëndrore në betejën e kulturave të Francës që është ndezur pas sulmeve në tokën franceze.

Disa plagë të betejës po shërohen. Kjo është njëra nga disa dhomat e faljeve për myslimanët që u sulmua së fundmi. Dritaret e thyera dhe të shkatërruara janë riparuar, dhoma është pastruar, por bisedat se çdo të thotë të jesh mysliman në Korsikë, janë intensifikuar.

“Integrimi në një shoqëri nuk do të thotë refuzim i kulturës së origjinës për t’iu përshtatur një kulture tjetër. Kjo për mua nuk është integrim.”

“Integrimi është respektimi i ligjeve, respektimi i vendit që të ka mirëpritur, respektimi i traditave, respektimi i njerëzve, por edhe ruajtja e kulturës së origjinës.”

Një pjesë e të rinjve janë dakord. 24-vjeçari Sabri Merdaci ka lindur në Korsikë nga prindër tunizianë dhe algjerianë.

Ai është rritur në plazhet e Korsikës, por tani thotë se u shmanget atyre.

Gratë e zhveshura janë një provokim për të, por ai është gjithashtu i shqetësuar sesi perceptohen nga të tjerët veshjet e tij islame.

“Mundet që njerëzit e shohin atë si provokim, ashtu si një burrë që sheh një grua lakuriq që ecën në rrugë. Ajo kërkon t’i thotë atij, ‘jam e lirë', por ai e sheh si një provokim. Ne e shohim atë si zgjedhje që bën dikush në lidhje me fenë dhe identitetin pasi lidhet me Islamin”, thotë Sabri Merdaci.

Izolimi i Korsikës dhe lëvizja e fuqishme separatiste ka bërë që shumë njerëz të mendojnë se Parisi nuk po bën sa duhet për t’i mbrojtur ata. Pas sulmeve terroriste të këtij viti në Francë, një deklaratë nga Fronti militant për Lirinë Kombëtare të Korsikës paralajmëroi se po përgatitet të sulmojë pa ngurrim Shtetin Islamik.

Shumë njerëz e shohin me seriozitet këtë deklaratë.

“Pas kësaj deklarate, mendoj se e gjithë popullsia në Korsikë po pyet se kush do të na mbrojë. A jemi të detyruar të vetmbrohemi? Dhe me çfarë mënyre?”

Zyrtarët në Korsikë kanë marrë masa me shpejtësi për të shuar thashethemet provokuese përfshi disa rreth burkave. “Makina e integrimit është prishur,” thotë zyrtari i lartë i zgjedhur i ishullit ndërsa shton se është i shqetësuar rreth një sulmi terrorist atje.

“Ka një shqetësim real pasi fatkeqësisht ngjarjet muajt e fundit kanë treguar se askush nuk është i sigurtë dhe ka elementë në në Korsikë që na bëjnë të shqetësuar për një rrezik në rritje”, thotë Gilles (Zhil) Simeoni, president i Këshillit Ekzekutiv.

Duke patur parasysh armiqësinë që ekziston tashmë në komunitetin e tyre, disa myslimanë në Korsikë janë të shqetësuar se çdo hakmarrje kundër Shtetit Islamik mund të sjell hakmarrje ndaj tyre.

“E marrim si një provokim për ata që mund të duan të kryejnë një sulm në Korsikë dhe do të jemi ne që mund ta paguajmë”, thotë Mohamed Jouablia.

“Pra, nëse dikush bën një gabim, grupi reagon dhe kërkon tjetrin. Është një dënim kolektiv dhe kjo është e neveritshme. Është e papranueshme. Kjo është ajo që na shqetëson. Koncepti i drejtësisë individuale është i rrezikshëm. Kjo ka rritur ekstremet në të dyja anët”, thotë Zerdalia Dahoun.

Flamuri i Korsikës pasqyron historinë komplekse që vazhdon të luajë rol në ujrat e Mesdheut.

XS
SM
MD
LG