Lidhje

Dhjetëra të arrestuar për trafikim migruesish nga Kosova


Policia evropiane ka arrestuar 77 persona në tetë vende të ndryshme për trafikimin e migruesve nga Kosova

Policia evropiane (EUROPOL) tha të mërkurën se ka shkatërruar një bandë kriminale të përfshirë në trafikimin e migruesve të paligjshëm nga Kosova për në vendet e Bashkimit Evropian.

Në një njoftim të kësaj agjencie thuhet se rreth 400 oficerë policie ishin përfshirë në operacionet gjatë të cilave janë arrestuar 77 veta, pjesa më e madhe nga Kosova, Republika Ceke, Sllovakia, Serbia, Bosnja dhe Maqedonia.

Operacionet pasuan shqetësimet për shtimin e migruesve që po hynin në Evropë nëpërmjet kufijve të saj juglindor, shumica prej tyre duke ikur nga varfëria por edhe konfliktet në Lindjen e Mesme.

Sipas EUROPOL-it, migruesit nga Kosova detyroheshin të paguanin shuma deri në 2 mijë e 800 euro për të udhëtuar nga Kosova për në Francë.

Migruesit udhëtonin nëpër Serbi për t’i trafikuar pastaj në Hungari dhe më tej në vendet e Bashkimit Evropian.

EUROPOL tha se 46 persona janë arrestuar të martën në Austri, Çeki, Francë, Gjermani, Hungari, Kosovë dhe në Sllovaki. Gjatë arrestimeve janë konfiskuar makina, dokumente të falsifikuara dhe mbi 52 mijë euro. Të tjerët ishin arrestuar në operacione të mëhershme.

Operacioni u përgëzua të mërkurën nga kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa.

Në një reagim të tij thuhet se operacionet e fundit dëshmojnë “se trendët e fundit të migrimeve ilegale ishin të orkestruara dhe të organizuara nga grupet e ndryshme kriminale. Këto grupe u kanë shkaktuar dëme qytetarëve të Kosovës, të cilët kanë rënë pre e mashtrimeve, por edhe vendit tonë në përgjithësi”.

Ai ka shprehur siç thuhet, përkushtimin e qeverisë së tij për të bashkëpunuar me të gjitha vendet për luftimin e krimit të organizuar, për të vendosur sundimin e ligjit dhe për ta bërë Kosovën shtet të së drejtës.

Qeveria e Kosovës nuk do të lejojë që proceset integruese të dëmtohen nga veprimet e paligjshme të grupeve kriminale”, thuhet në reagimin e kryeministrit Mustafa.

Mijëra qytetarë të Kosovës janë larguar në fund të vitit të kaluar dhe në fillim të këtij viti drejt vendeve të Bashkimit Evropian. Lëvizjet e tilla që tashmë kanë rënë pothuajse fare, për shumëkënd ishin shenjë e pakënaqësive në rritje me udhëheqjen politike të shtetit më të ri e më të varfër të Evropës.

XS
SM
MD
LG