Protestuesit thanë se vizita e tyre është e papranueshme duke pasur parasysh se Beogradi nuk ka kërkuar falje për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë duke përfshirë Gjakovën, që ishte një nga komunat më të prekura.
Policia e Kosovës tha se kishte marrë të gjitha masat për të siguruar që protesta të kalonte pa incidente dhe bëri të ditur se kishte arrestuar një person për prishje të rendit dhe qetësisë publike.
Çdo vit pelegrinë serbë, që thonë se janë persona të zhvendosur nga Gjakova në vitin 1999, shkojnë në këtë kishë për Krishtlindjet ortodokse.
Vitin e kaluar ish ministri për kthimin dhe komunitetet, Aleksandar Jabllanovic, i quajti "egërsira" protestuesit në Gjakovë, të cilët po përpiqeshin të pengonin disa pelegrinë serbë të vizitonin Gjakovën me rastin e Krishtlindjeve Ortodokse. Deklaratat çuan në organizimin e protestave për shkarkimin e tij, të cilat u shoqëruan me dhunë që la dhjetëra të plagosur.
Gjakova është një vendet më të prekura nga lufta në Kosovë. Rreth 1 mijë e 200 civilë të qytetit u vranë gjatë luftës, ndërsa 60 persona ende rezultojnë të zhdukur.