Lidhje

Partneriteti i ri Kosovë-Sfidat e Mijëvjeçarit

  • Rudina Dervishi

Shtetet e Bashkuara dhe Kosova nënshkruan dje Programin Threshold prej 49 milion dollarësh që përqëndrohet tek rritja ekonomike, qeverisja e përgjegjshme dhe transparenca. Presidenti Hashim Thaçi i tha Zërit të Amerikës se kjo marrëveshje shënon një hap të rëndësishëm për zbatimin e reformave jetike për Kosovën.

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi si dhe ligjvënësit amerikanë Eliot Engel dhe Ed Royce morën pjesë në ceremoninë për nënshkrimin e marrëveshjes në mjediset e Kongresit amerikan.

Për Korporatën Sfida e Mijëvjeçarit (MCC), marrëveshja u nënshkrua nga drejtori i saj ekzekutiv në detyrë, Jonathan Nash.

Programi “Threshold” do të mbështesë përpjekjet e qeverisë së Kosovës për të ulur koston e energjisë për familjet dhe bizneset dhe për të përmirësuar transparencën dhe përgjegjshmërinë e qeverisë. Presidenti Thaçi tha se nënshkrimi i marrëveshjes është një hap i rëndësishëm për zbatimin e reformave jetike për vendin:

“Mendoj se është një hap shumë i rëndësishëm. Nënshkrimi i marrëveshjes është një tjetër hap drejt implementimit të projekteve që janë të rëndësishme veçanërisht në sektorin energjitik, inftrastrukturor dhe atë të sundimit të ligjit. Pra do të jenë përfitues qytetarët e vendit, do të jenë institucionet dhe programi do të jetë në shërbim të reformave demokratike në veçanti të rendit dhe ligjit”.

Përmes një granti prej 49 milion dollarësh programi do të përqëndrohet në dy fusha kritike të identifikuara si pengesa për rritjen ekonomike: mungesën e energjisë së qëndrueshme dhe dobësitë e perceptuara dhe reale të sundimit të ligjit.

Ligjvënësi amerikan Eliot Engel, i cili luajti një rol kyç për arritjen e marrëveshjes, tha se ky program do të ndihmojë qeverinë e Kosovës në rrugën drejt intergrimit euroatlantik:

“Kam besim se Kosova do të ecë në rrugën e saj drejt begatisë dhe integrimin euroatlantik me qeverinë e saj të re. Parteriteti i Sfidës së Mijëvjeçarit me Kosovën do të shtyjë përparimin drejt këtij synimi….

U desh shumë për të arritur këtu dhe unë jam krenar të qëndrojë përkrah Kosovës ndërsa ajo hyn në këtë kapitull të ri të rëndësishëm.”, tha kongresmeni Engel.

Biznesmeni shqiptare Harry Bajraktari ka ndihmuar shumë përmes lobimit në përfshirjen e Korporatës Sfidat e Mijëvjeçarit në Kosovë. Ai thotë se ky program është shumë i rëndësishëm për të forcuar pozitat e Kosovës si një shtet demokratik:

“Është një ditë e madhe për popullin e Kosovës dhe popullin shqiptar. Kjo përforcon themelet e Kosovës së pavarur, e një Kosove demokratike, një Kosovë me një të ardhme të forte ekonomike. Një Kosovë ku populli i saj do të jetojnë mirë, do të rrisin standartin e jetës. Përfshirja e Kosovës në këtë program është një prej shkallëve për të forcuar pavarësinë e Kosovës”.

Programi “Threshold” është granti më i vogël i Sfidës së Mijëvjeçarit dhe fokusohet në nxitjen e reformave politike dhe institucionale që ndihmojnë vendet partnere t’u shërbejnë më mirë popullit të tyre. Prokurimet dhe mundësitë e reja që lidhen me programin do të njoftohen në muajt e ardhshëm.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG