Lidhje

Incident në Parlamentin e Kosovës


Parlamenti i Kosovës
Parlamenti i Kosovës

Deputetë të PDK-së dhe lëvizjes Vetëvendosje, janë përleshur fizikisht për shkak të debateve rreth SHIK-ut


Deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës dhe lëvizjes Vetëvendosje, janë përleshur fizikisht mes vete në parlamentin e Kosovës. Nuk është dhënë ndonjë hollësi zyrtare rreth shkaqeve që çuan në përleshje, por mjetet e informimi thanë se dhuna shpërtheu së pari mes deputetëve Latif Gashi dhe Rexhep Selimi, e pastaj edhe ndërmjet deputetëve Florin Krasniqi e Bekim Haxhiu, për shkak të debateve rreth Shërbimit Informativ të Kosovës, të njohur si SHIK.

Ky shërbim ishte themeluar gjatë luftës në Kosovë dhe u bë i njohur si organizatë e afërt me Partinë Demokratike të Kosovës. Ai shpalli përfundimin e veprimtarive të tij në qershor të vitit 2008 si kusht për fillimin e ndërtimit të strukturës së re të zbulimit në Kosovë që njihet si Agjencia e Kosovës për Inteligjencë. Por, një pjesë e deputetëve të opozitës kishte tërhequr vërejtjen se ai nuk e ka pushuar veprimtarinë e tij.

Instituti Demokratik i Kosovës, duke reaguar ndaj këtij incidenti theksoi se ky incident “e ka historinë e vet, dhe buron nga përdorimi i vazhdueshëm i një gjuhe të papranueshme për demokracinë parlamentare”.

Në një komunikatë për opinion, kjo organizatë e cila vëzhgon punën e Parlamentit të Kosovës, u ka bërë thirrje partive politike “që të ndikojnë në uljen e tensioneve mes grupacioneve të ndryshme formale dhe joformale, sepse kjo reflekton pasiguri te qytetarët e vendit”.

Instituti kërkon nga presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, “që në përputhje me kompetencat e saj kushtetuese, të thërrasë një tryezë të partive politike parlamentare për të dalë nga ngërçi i armiqësive, përmes debatit demokratik si preventivë që përplasjet mes deputetëve të mos nxisin përleshje në rrugë mes militantëve të pushtetit dhe të opozitës”.

Partia Demokratike e Kosovës ende nuk ka komentuar incidentin.

Ndërkaq, lëvizja Vetëvendosje, në një komunikatë ka theksuar se “pa provokimin më të vogël, deputeti Latif Gashi është munduar ta kërcënojë deputetin Rexhep Selimi, që të mos flasë për SHIK-un gjatë një prononcimi për media. Fatkeqësisht, provokimi i zotit Gashi dhe tentativa e tij për të ngulfatur fjalën e lirë të deputetëve, dhe të qytetarëve të Republikës së Kosovës, ka eskaluar në një përleshje fizike, për të cilën Lëvizja Vetëvendosje shpreh keqardhje. Në atë moment, në përleshjen fizike është përfshirë edhe agjenti tjetër i SHIK-ut në Kuvendin e Kosovës nga radhët e PDK-së, Bekim Haxhiu, i cili e ka përsëritur provokimin e Gashit”, thuhet në komunikatën e lëvizjes Vetëvendosje.
XS
SM
MD
LG