Lidhje

Tiranë-Prishtinë, do firmoset Partneriteti Strategjik


Në mbledhjen e përbashkët mes dy qeverive të shtunën në Prizren do të nënshkruhen tre marrëveshje bashkëpunimi si dhe dy vendime për mbështetje financiare për Luginën e Preshevës

Shqipëria dhe Kosova pritet të nënshkruajnë të shtunën e ardhshme gjatë mbledhjes së përbashkët të dy qeverive në Prizren deklaratën e Partneritetit strategjik si dhe disa marrëveshje bashkëpunimi, njoftoi sot në Tiranë ministrja e Inovacionit Milena Harito

“Disa nga marrëveshjet që do të nënshkruhen nga të dyja qeveritë janë: Nënshkrimi i dokumentit për bashkëpunim dhe partneritet strategjik midis dy vendeve; nënshkrimi i marrëveshjes midis dy qeverive për bashkëpunim në lehtësimin e tregtisë; nënshkrimi i marrëveshjes mes dy qeverive për bashkëpunim në fushat e transportit dhe infrastrukturës; thellim të bashkëpunimit dypalësh në fushën e integrimit evropian”, deklaroi ministrja.

Zonja Harito njoftoi gjithashtu se gjatë mbledhjes do të merret vendim edhe për dy projekte që lidhen me shqiptarët e Luginës së Preshevës. I pari ka të bëjë me një bashkëfinancim të të dy qeverive, që parashikohet të jetë afër 100 mijë euro, për pajisje mjekësore për maternitetin e Preshevës. Ky fond i bashkëngjitet financimeve edhe nga agjenci të tjera ndërkombëtare për projektin e maternitetit. Po ashtu, parashikohet edhe ngritja e një Fondi Zhvillimi për Luginën e Preshevës. Kryeministrat e të dy vendeve e kanë cilësuar takimin e Prizrenit si celjen e një kapitulli të ri në bashkëpunimin mes Tiranës dhe Prishtinës.
XS
SM
MD
LG