Lidhje

Shpërthim i ri në veriun e Mitrovicës


Kosovo, Mitrovica, explosion
Kosovo, Mitrovica, explosion

Një bombë është hedhur në banesën e një pjesëtari të komunitetit serb, kandidat për zgjedhjet komunale të tre nëntorit në Kosovë

Policia e Kosovës tha se një shpërthim ka ndodhur në pjesën veriore të Mitrovicës në banesën e një pjesëtari të komunitetit serb, por pa pasoja në njerëz.

Persona ende të panjohur për policinë kanë hedhur një bombë dore në banesën e Ninosllav Gjeriqit, kandidat i Nismës Qytetare serbe për zgjedhjet komunale të tre nëntorit në Kosovë.

Ky është sulmi i dytë në 24 orët e fundit në veriun e Mitrovicës, zonë e banuar me shumicë serbe.

Shefi i Misionit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropa, Jean-Claude Schlumberger, e dënoi sulmin e mbrëmshëm sikundër edhe incidentet e mëhershme që siç thotë ai “dëmtojnë sigurinë e njerëzve që jetojnë në Kosovën veriore dhe janë një ndërhyrje në procesin e tashëm zgjedhor. Ky lloj i sulmeve dhe çfarëdo formë tjetër e frikësimit të kandidatëve duhet të ndalet menjëherë dhe njerëzit që duan të votojnë dhe të votohen duhet ta kenë mundësinë ta bëjnë atë në mënyrë të lirë”, thuhet në reagimin e ambasadorit Schlumberger i cili bëri thirrje për ndriçimin e shpejt të incidenteve dhe vënien e autorëve para drejtësisë.

Përfshirja e veriut të Kosovës në zgjedhjet komunale të tre nëntorit ishte pjesë e marrëveshjes së arritur në prill të këtij viti ndërmjet kryeministrave të Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi e Ivica Daçiç në kuadër të bisedimeve të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.

Mirëpo, një pjesë e përfaqësuesve serbë në veri nuk pajtohet me përfshirjen në zgjedhje, meqë kjo do të nënkuptonte përfshirje në institucionet e shtetit të Kosovës që ata nuk i njohin dhe nuk i pranojnë.

Autoritetet e Beogradit po u bëjnë thirrje serbëve që të marrin pjesë në votime meqë në këtë mënyrë, siç thuhet, ata do të sigurojnë ngritjen e strukturave të njohura ndërkombëtarisht.

Rreth 30 subjekte politike serbe janë regjistruar për pjesëmarrje në zgjedhje, ndërsa Beogradi mbështetë Nismën Qytetare serbe. Marrëveshja parasheh që pas zgjedhjeve të krijohet bashkësia e komunave serbe e cila do të gëzojë një shkallë të gjerë autonomie.
XS
SM
MD
LG