Lidhje

Jep dorëheqje nënkryetari i parë i Vetëvendosjes, Dardan Sejdiu



Nënkryetari i parë i lëvizjes Vetëvendosje, Dardan Sejdiu dha të enjten dorëheqje nga të gjitha funksionet në këtë parti politike.


Në një letër dërguar kryesisë së lëvizjes Vetëvendosje, ai thekson se “përkundër korektësisë dhe vullnetit për të kontribuar në zgjidhjen e problemeve të brendshme, thirrja e mbledhjës së kryesisë duke shpërfillur në tërësi ushtruesin e detyrës të kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, dëshmon përfundimisht mungesën e seriozitetit dhe sinqeritetit të duhur për t’u përballur me problemet e brendshme dhe tejkalimin e tyre në mënyre racionale, kolegiale dhe në të mirë të organizatës”.


Ai shkruan në letër se veprimin politik do ta vazhdojë si deputet dhe anëtar i lëvizjes Vetëvendosje dhe në përputhje me bindjet e tij.


Dorëheqja e nënkryetarit Sejdiu pasoi dorëheqjen e dy ditëve më parë të kryetarit të lëvizjes Vetëvendosje Visar Ymeri. Të dyja dorëheqjet pasuan përçarjet e kohëve të fundit brenda kësaj lëvizjeje.

Muajin e kaluar lëvizja Vetëvendosje shpalli zgjedhjet e brendshme për kryetar të ardhshëm të kësaj lëvizjeje, pas përplasjeve që shpërthyen brenda kësaj lëvizjeje e cila po përballet me krizën më të rëndë që nga formimi i saj. Përplasjet pasuan publikimin e bisedave private të disa deputetëve të Vetëvendosjes në të të cilat ishte përvijuar edhe një shprehje fyese për themeluesin e lëvizjes, Albin Kurti.


Lëvizja Vetëvendosje u themelua në vitin 2004 nga Albin Kurti. Deri në vitin 2010 kur u përfshi për herë të parë në zgjedhje për pushtetin qendror, kjo lëvizje nëpërmjet protestave dhe aksioneve ka kundërshtuar misionet ndërkombëtare në Kosovë dhe qeverinë e vendit.


Në zgjedhjet e përgjithshme të 11 qershorit të këtij viti Vetëvendosje arriti të fitojë 32 vende në parlamentin e Kosovës duke u bërë subjekti i parë në Kosovë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG