Lidhje

Arrestohen tetë tifozë nga Çekia në Kosovë


Policia e Kosovës arrestoi tetë shtetas të Çekisë, të cilët dyshohet se po planifikonin që gjatë një ndeshjeje futbolli ndërmjet Kosovës dhe Republikës Çeke, të vlefshme për kualifikimet për Kampionatin Evropian, të shpalosnin me dron një flamur me mbishkrimin “Kosova është Serbi”

Policia tha se në makinat me të cilat po udhëtonin tifozët e arrestuar, janë gjetur një pankartë me atë mbishkrim, një flamur i Serbisë me mbishkrimin “Nuk dorëzohemi”, 6 thika, 2 radiolidhje dhe 1 dron”.

Arrestimet u konfirmuan edhe nga ministria e Jashtme çeke e cila tha se të arrestuarit u lanë të lirë të shtunën dhe në mesin e tyre është edhe një tifoz me shtetësi serbe.

Mediet çeke thanë se “huliganët e arrestuar janë pjesë e tifozerisë së klubit futbollistik Sparta.

Michal Jurman, një zëdhënës i Shoqatës çeke të futbollit, citohet të ketë thënë se “ekipi çek dëshiron ta bëjë të qartë se kundërshton çdo sjellje të ngjashme të tifozëve që lidhin politikën me sportin”.

Aktualisht, ka thënë ai, situata është duke u zgjidhur në bashkëpunim të Policisë së Kosovës, Policisë çeke dhe ambasadës së Çekisë në Kosovë.

Plani i tifozëve duket të jetë frymëzuar nga ndeshja e futbollit e tetorit të vitit 2014 Shqipërisë dhe Serbisë në Beograd e cila qe ndërprerë për shkak të dhunës, kur mbi fushë u shfaq një dron me simbole shqiptare.

Të shtunën, grupi i tifozëve të Kosovës ''Dardanët'', bëri thirrje për maturi e përmbajtje duke theksuar se “çdo incident i mundshëm të dëmtonte Kosovën”.

Republika Çeke e cila është në të njëjtin grup me Kosovën në kualifikime, e ka njohur pavarësinë e Kosovës të shpallur në vitin 2008, të cilën Beogradi vazhdon ta kundërshtojë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG