Lidhje

Forum i përbashkët ekonomik Kosovë-Shqipëri


Përfaqësuesit e bizneseve të Kosovës dhe Shqipërisë thanë të premten se shqiptarët do të bashkohen vetëm nëpërmjet largimit të kufirit ekonomik ndërmjet tyre.

Këto komente u bënë në Prizren, në kuadër të Forumit Ekonomik Kosovë-Shqipëri, i organizuar nga Oda Ekonomike e Kosovës dhe Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë në Tiranë.

Përfaqësuesit e të dyja dhomave ekonomike thanë se vetëm me zhvillim ekonomik të dyja vendet do të mund të sigurojnë qëndrueshmëri sociale dhe politike.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu tha se me këtë forum ekonomik po dërgohet mesazhi se ekonomitë e dy vendeve nuk duhet parë si konkurrente njëra tjetrën, por si ekonomi bashkëpunuese.

“Hapja e perspektivës për bashkëpunim dhe përparim është hapja e rrugës për të hequr sfidat që kanë dy shtetet. Jemi të sulmuar nga një konkurrencë agresive, i njollosin produktet e Kosovës dhe të Shqipërisë për të bllokuar bashkëpunimin ekonomik”, tha zoti Gërxhaliu.

Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë në Tiranë, Nikolin Jaka tha se ky forum është i rëndësishëm për të ofruar një të ardhme për zhvillimin ekonomik të të dyja vendeve.

“Sot jemi këtu për të ofruar një të ardhme tjetër dhe lëvizje tjetër për zhvillimin ekonomik të të dyja vendeve dhe këtë nuk do ta bëjmë me fjalë dhe deklarata të nacionalizmit, por me veprime. Ne mblidhemi shpesh dhe diskutojmë për problemet dhe hallet që kemi, por qeveritë tona duhet të na krijojnë mekanizmin se si të mbështetën produktet tona”, tha zoti Jaka.

Ministri i Financave në qeverinë e Kosovës, Avdullah Hoti tha se Kosova dhe Shqipëria janë duke punuar drejt bashkimit të plotë ekonomik ndër shqiptar.

“Unë kam gjetur një gjuhë shumë të mirë me homologët e mi në Shqipëri dhe shumë prej çështjeve janë zgjidhur dhe brenda dy ose tri viteve ne mund të flasim për unifikim të ekonomive tona. Për aq sa kam njohuri për bizneset ka shumë fusha ku janë plotësuese”, tha ministri Hoti.

Përfaqësuesit e dhomave ekonomike thanë se nëpërmjet këtij forumi ekonomik po synohet që të nxirren në pah mangësitë dhe sfidat me të cilat përballen bizneset e të dyja vendeve për shkëmbimin e mallrave.

Të dy qeveritë edhe e Kosovës edhe e Shqipërisë kanë nënshkruar disa marrëveshje, kryesisht në funksion të shmangies së pengesave me të cilat përballen bizneset e të dyja vendeve dhe lehtësimin e projekteve për zhvillimin ekonomik. Me gjithë rritjen e shkëmbimeve tregtare viteve të fundit, përfaqësuesit e bizneseve mbeten ende pakënaqur me nivelin e tyre.

XS
SM
MD
LG