Lidhje

Kosova dhe Shqipëria me treg të përbashkët energjetik


Të dyja vendet janë pajtuar për një zonë të përbashkët të tregut energjetik, ndërsa vunë gurthemelin e një linje shkëmbimi të energjisë elektrike.

Kosova dhe Shqipëria hodhën sot hapat e parë në krijimin e një tregu të përbashkët energjetik, duke themeluar edhe komitetin drejtues që do të çojë përpara këtë projekt. Ministri i Energjetikës, Damian Gjiknuri u prit në Prishtinë nga ministri i zhvillimit ekonomik të Kosovës Blerand Stavileci. Të dy ministrat thanë se studimet që i kanë paraprirë tregut të përbashkët kanë dëshmuar se themelimi i tij, përveç se është teknikisht i mundshëm, është edhe ekonomikisht i leverdishëm për të dyja vendet. Derisa Shqipëria ka mundësi prodhimi nga hidrocentralet, Kosova ka mundësi të prodhimi nga termocentralet.

Në mesditë ministrat hodhën edhe gurthemelin e linjës 400 kilovatëshe që lidhë të dyja vendet. Në dhjetor të vitit 2013, Kosova dhe Shqipëria kishin nënshkruar marrëveshjen për ndërtimin e kësaj linje dhe simbolikisht atë e kishin bërë në shtëpinë e Lidhjes së Prizrenit, simbol i Kuvendit të vitit 1878 kur shqiptarët kishin hedhur themelet e lëvizjes për çlirim nga Perandoria Osmane.

Ndërtimi i linjës që u quajt autostrada energjetike, e gjatë 240 kilometra, financohet nga Banka zhvillimore Gjermane KFW, një pjesë si dhurim dhe një pjesë në formë të kredisë. Në Shqipëri projekti pritet të kushtojë rreth 42 milionë euro, ndërsa në Kosovë 16.5 milionë euro, ndërsa zbatimi i projekteve bëhet nga një kompani sllovene dhe një kroate.

Autoritetet e të dyja palëve thanë se “kjo linjë do të sjellë përfitime për të dyja vendet dhe qytetarët e tyre”. Të dyja palët e vlerësojnë fillimin e ndërtimit të kësaj linje si projektin më të madh pas ndërtimit të autostradës që lidhë të dyja vendet.

Projekti do të mundësojë shkëmbimin e energjisë, duke rritur mundësitë e shfrytëzimit të hidro energjisë nga Shqipëria gjatë dimrit dhe atë të përfituar nga qymyri në Kosovë, gjatë stinëve më të thata.

Të dyja vendet përballen ende me mungesa të furnizimit të mjaftueshëm me energji elektrike që kushtëzojnë shpesh shkurtime të ashpra dhe vështirësi në rritjen ekonomike.

XS
SM
MD
LG