Lidhje

Futboll: Kosovë – Shqipëri 2:2


Në Prishtinë, Kosova dhe Shqipëria luajtën baras dy me dy në ndeshjen e parë futbollistike miqësore ndërmjet të dyja vendeve

Ekipi përfaqësues i Kosovës në futboll dhe ai i Shqipërisë, përfunduan ndeshjen miqësore në Prishtinë më rezultat baras dy me dy.

Pjesa e parë e ndeshjes përfundoi pa gola, ndërsa në pjesën e dytë fillimisht Shqipëria kaloi në epërsi me golin e Rei Manajt për t’u barazuar pak më vonë nga Bersant Celina i Kosovës.

Më pas Elbasan Reshani i ekipit të Kosovës shënoi golin e dytë, ndërsa Naser Aliji barazoi duke bërë që ndeshja të përfundojë me rezultatin dy me dy.

Ishte kjo loja e parë e zhvilluar ndërmjet të dyja vendeve, pak kohë pasi që kombëtarja shqiptare arriti të kualifikohet për kampionatin evropian të futbollit që mbahet në Francë vitin e ardhshëm.

Një pjesë e konsiderueshme e lojtarëve të kombëtares së Shqipërisë janë futbollistë me prejardhje nga Kosova.

Ndeshja e së premtes u bë e mundur pasi që FIFA vendosi në janar të vitit të kaluar që t’i lejojë Kosovës që të zhvillojë ndeshje miqësore ndërkombëtare.

Megjithatë ajo vendosi kufizime duke i ndaluar Kosovës që të luajë kundër ekipeve të vendeve që kanë dalë nga ish federata jugosllave.

Po ashtu klubeve të Kosovës u është ndaluar të shpalosin simbolet kombëtare apo të intonojnë himnin shtetëror gjatë ndeshjeve.

Serbia i është kundërvënë anëtarësimit të Kosovës në shumë organizata ndërkombëtare që kur ajo shpalli pavarësinë e saj në shkurt të vitit 2008.

Kosova do të mund të behet anëtarja e 55-të e UEFA-s, nëse kërkesa e saj pranohet në mbledhjen e radhës së udhëheqjes së futbollit evropian, që do të mbahet në Budapest, në mars të vitit 2016.

Synimi i Kosovës, për t’u bërë anëtare e plotë e UEFA-s, shënoi një hap përpara në shtator të këtij viti, pasi që Komitetit Ekzekutiv i UEFA-s, u pajtuar që kërkesa zyrtare e Kosovës për anëtarësim, të vihet në rendin e ditës së kongresit të UEFA-s, vitin që po vjen.

Nëse kërkesa miratohet, atëherë Kosovës do të mund t’i mundësohej anëtarësimi i plotë të Federatën Ndërkombëtare të Futbollit, FIFA, në takimin e radhës që do të mbahet në Mexico City, në muajin maj të vitit 2016.

XS
SM
MD
LG