Lidhje

Meta: Shpresoj që Haradinaj të kthehet shpejt në Kosovë


Kryetari i Parlamentit të Shqipërisë, Ilir Meta, tha të dielën se është i bindur që udhëheqësi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, së shpejti do të kthehet në Kosovë.

Ai i bëri këto komente gjatë qëndrimit në Prishtinë ku u takua me zyrtarë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, pas ndalimit të ish kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj të mërkurën në Francë, në bazë të një urdhër arresti të lëshuar nga autoritetet serbe 13 vjet më parë.

Zoti Haradinaj vazhdon të mbahet në paraburgim në qytetin Colmar në Francën lindore, pasi një gjykatë franceze vendosi që ai të qëndrojë në paraburgim derisa Serbia të bëjë kërkesën zyrtare për ekstradim.

Zoti Meta tha gjatë një konference se arrestimi i zotit Haradinaj ishte akt befasues dhe tronditës.

“Do të shpreh keqardhjen tonë të thellë për këtë ndalim shokues të ish kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj në Francë dhe shpresojmë dhe besojmë që kjo çështje do të marrë fund shumë shpejt pasi Ramush Haradinaj nuk është qytetar i Serbisë, por qytetar i Kosovës dhe është një simbol i Kosovës dhe i shqiptarëve në të gjithë botën dhe është një krenari për të gjithë shqiptarët edhe për faktin se ai gjithmonë është përballur me kurajë dhe me dinjitet edhe përballë drejtësisë ndërkombëtare edhe përballë padrejtësisë”, tha zoti Meta.

Ai shtoi se shpreson që Franca si një vend mjaft demokratik dhe si një vend që kontribuon për qëndrueshmërinë dhe paqen në Kosovë dhe rajon do t’i përmbahet konventave ndërkombëtare.

"...duke u dhënë një mesazh të qartë tekave të vjetra që vijnë nga Serbia për fat të keq në këto kohë të reja kur duhet t’i çojmë përpara proceset e dialogut dhe bashkëpunimit në rajonin tone”, tha ai.

Zoti Meta tha se solidarizohet me institucionet e Kosovës dhe shprehu besimin se shumë shpejt zoti Haradinaj do të kthehet.

“Ne duam që këtij absurditeti t’i jepet fund menjëherë sepse kemi të bëjmë me një simbol të sakrificave sublime të shqiptarëve të Kosovës dhe shqiptarëve kudo për liri dhe dinjitet; kemi të bëjmë me një simbol që është përballur me dinjitet me institucionet ndërkombëtare të drejtësisë; është përballur edhe me drejtësinë edhe padrejtësinë dhe i ka fituar këto çështje në emër të kauzës që ka përfaqësuar dhe përfaqëson, që nuk është thjeshtë personale por që është mbarë shqiptare dhe mbarë kombëtare”, tha zoti Meta.

Ndalimi i Ramush Haradinaj nga autoritet e Francës ka nxitur reagimin e institucioneve dhe partive politike në Kosovë, të cilat bënë thirrje për lirimin e tij të menjëhershëm, ndërsa tashmë avokatët mbrojtës kanë bërë edhe kërkesën zyrtare për lirimin e tij.

Kryesia e Parlamentit të Kosovës ka vendosur që javën e ardhshme të mbajë një seancë e jashtëzakonshme lidhur me ndalimin e zotit Haradinaj.

Ndalimi i tij ka nxitur edhe protesta të shumta nëpër Kosovë dhe vende të ndryshme evropiane.

Edhe, ligjvënësi amerikan Eliot Engel ka kërkuar lirimin e zotit Haradinaj ndërsa e ka quajtur të papranueshme që Serbia po abuzon me Interpolin për të vënë në shënjestër ish kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Në një komunikatë të zyrës së zotit Engel theksohet se "kjo nuk ka të bëj me sundimin e ligjit apo drejtësinë. Gjykata Ndërkombëtare e ka shfajësuar dy herë zotin Haradinaj. Ky veprim vetëm nxitë tensionet dhe shton mundësitë për konflikt në të ardhmen".

Autoritetet në Kosovë kanë kërkuar disa herë nga policia ndërkombëtare, Interpol që mos merren parasysh fletarrestimet e lëshuara nga autoritetet e Serbisë për qytetarët e Kosovës. Kërkesat kishin pasuar disa raste të ndalimit nëpër aeroporte të drejtuesve të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në bazë të fletarrestimeve të lëshuara nga Beogradi.

Mosnjohja e pavarësisë së Kosovës nga një numër shtetesh që janë edhe pjesë e Interpolit e vështirëson edhe bashkëpunimin e saj me këtë organizatë.

XS
SM
MD
LG