Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, u bëri thirrje të hënën partive politike në Kosovë që të gjejnë siç tha, zgjidhje të mençura për të gjitha çështjet të cilat do ta forcojnë pozitën ndërkombëtare të Kosovës.
Ai i bëri këto komente në Prishtinë, pas një takimi me kryeministrin e Kosovës Ramush Hardinaj, gjat të cilit u tha se u diskutua për ardhmërinë evropiane të të dyja vendeve.
Presidenti Meta tha se Shqipëria do të ndihmojë Kosovën për të gjetur zgjidhje për të gjitha temat me të cilat përballet ajo.
“Shpresoj shumë në angazhimin e mëtejmë edhe të kryeministrit Haradinaj dhe të gjithë qeverisë, por edhe të opozitës për të dhënë zgjidhje të mençura për të gjitha ato çështje të cilat do ta forcojnë pozitën ndërkombëtare të Kosovës. Në këtë drejtim, mund të sigurojmë Kosovën për mbështetjen tonë maksimale, gjithmonë në bashkërendim me kryeministrin, me presidentin dhe parlamentin e Kosovës dhe të gjitha institucionet këtu”, tha presidenti Meta.
Zoti Meta tha se procesi i integrimeve evropiane i bashkon vendet e rajonit ndërsa i bëri thirrje Bashkimit Evropian që të inkurajojë shtetet për të ardhmen e tyre drejt integrimeve evropiane.
“Ne duhet të bëjmë çdo gjë si Shqipëria por edhe Kosova dhe vendet tjera në rajon për të përmbushur zotimet tona për integrime evropiane. Sa i përket strategjisë së zgjerimit të Bashkimit Evropian duhet të ketë konsideratë në të gjitha vendimmarrjet në të gjitha raportet në rajon në mënyrë që i githë rajoni të inkurajohet dhe të ketë data apo afate inkurajuese për sa i përket procesit të reformave që do ta transformonin këtë rajon në një rajon të vërtetë evropian”, tha presidenti Meta.
Ndërsa, kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj tha se pengesë për vendin mbetet mosnjohja nga pesë vende të Bashkimit Evropian.
“Kosovën e vështirëson shumë fakti që pesë vende të Bashkimit Evropian nuk e kanë njohur, është një pengesë e madhe në ecjen përpara, fakti që nuk na kanë njohur pesë vende ne trajtohemi si etnitet pa identitet politik të mirëfilltë si një republikë e pavarur e sovrane që dallon me Amerikën, për shembull, Amerika nuk ka dilema na ka njohur dhe për Amerikën jemi Republika e Kosovës e pavarur dhe sovrane. Bashkimi Evropian nuk na njeh si të tillë dhe kjo është një hendikep i madh dhe shpresoj që institucionet e Bashkimit Evropian do të na ndihmojnë që të ndryshojë pozicionin e këtyre vendeve që nuk na kanë njohur”, tha kryeministri Haradinaj.
Bashkimi Evropian po nis një përpjekje diplomatike që synon përshpejtimin e hapave për anëtarësimin e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE.
Kosova vazhdon të mbetet e fundit na rajon për integrime evropiane dhe i vetmi vend qytetarët e së cilës nuk mund të udhëtojnë pa viza në vendet e Bashkimit Evropian.
Facebook Forum