Lidhje

Kërkohet drejtësi për ngjarjet e 10 shkurtit 2007


Organizata Amnesty International kërkon hetime të pavarura për ngjarjet e asaj dite. Parlamenti i Kosovës bëri sot thirrje për drejtësi.

Organizata ndërkombëtare për të drejtat e njeriut Amnesty International ka bërë thirrje për hetime të pavarura të ngjarjeve të 10 shkurtit të vitit 2007 në Kosovë kur dy veta humbën jetën gjatë ndërhyrjes së policisë për shpërndarjen e një proteste të lëvizjes Vetëvendosje e cila kundërshtonte negociatat për statusin politik të Kosovës.

Thirrjet e kësaj organizate u bënë në ditën kur edhe Parlamenti i Kosovës debatoi ngjarjet e asaj kohe. Edhe në deklaratën e Amnesty Inernational dhe në debatet e sotme në Parlament, u kërkua drejtësi për familjet e viktimave.

Në protestën e 10 shkurtit të vitti 2007, dy veprimtarë të lëvizjes Vetëvendosje, Arben Xheladini e Mon Balaj, humbën jetën gjatë ndërhyrjes së policisë së Kombeve të Bashkuara për shpërndarjen e një proteste të kësaj lëvizjeje.

Hetimet, të cilat u drejtuan nga prokurori amerikan Robert Dean, vërtetuan se të dy ata ishin qëlluar me plumba gome nga pjesëtarët rumunë të policisë së UNMIK-ut. Mirëpo, policët u kthyen në Rumani para përfundimit të hetimeve.

Rreth 80 protestues pësuan plagë gjatë ndërhyrjes së policisë, ndërsa pati edhe shumë të arrestuar.

Organizata Amnesty International i bënë thirrje qeverisë së Kosovës që të mbështesë thirrjet për hetime të pavarura e të paanshme mbi vrasjet dhe plagosjet e 10 shkurtit të vitit 2007.

Kjo përfshinë edhe hetimin mbi përgjegjësinë e mundshme penale të policisë së UNMIK-ut dhe zyrtarëve të tjerë që komandonin operacionin e asaj dite.
Amnesty International u bënë thirrje UNMIK-ut dhe vendeve anëtare të OKB-së që të bashkëpunojnë plotësisht me hetimet e tilla.

Mungesa e vazhdueshme për një hetim efektiv është shkelje e të drejtave themelore të njeriut, përfshirë këtu të drejtën për jetën, ndalimin e torturës dhe trajtimeve tjera jonjerëzore, dhe të drejtën për tubime paqësore e zgjidhje efektive ligjore, thuhet në një deklaratë të kësaj organizate.

Udhëheqësit e lëvizjes Vetëvendosje thanë sot gjatë debatit në Parlament se po kërkojnë drejtësi për dy veprimtarët e vrarë, ndërsa akuzuan autoritetet ndërkombëtare për siç thuhet, fshehjen e krimit dhe lirimin e policëve rumun, që ishin përgjegjës për përdorimin e plumbave të gomës me afat të skaduar.
Parlamenti i Kosovës
Parlamenti i Kosovës

Parlamenti i Kosovës, miratoi sot rekomandimet e lëvizjes Vetëvendosje, sipas tw cilës “Qeveria e Kosovës duhet të kërkojë nga Qeveria e Shqipërisë që të iniciojë një debat dhe rezolutë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, duke kërkuar: që KS i OKB -së të fillojë një hetim të veçantë dhe të pavarur të krimeve të kryera nga policia e UNMIK-ut më 10 shkurt 2007 në Kosovë; që sekretari i Përgjithshëm i OKB-së t’ua heqë imunitetin zyrtarëve civilë dhe policorë të UNMIK-ut në zinxhirin komandues, si dhe njësisë së policisë speciale të dyshuar për kryerje krimesh kundër protestuesve paqësorë më 10 shkurt, 2007”.

Në rekomandime kërkohet që qeveria e Kosovës të kërkojë të njëjtën nga ministrat e jashtëm të vendeve që e kanë njohur Kosovën e që kanë përfaqësim të përhershëm në Këshillin e Sigurimit, si dhe mbështetësve të tjerë që janë anëtarë të përkohshëm.

Në tekstin e rekomandimeve thuhet se “ministrat dhe të gjithë deputetët e Parlamentit të Kosovës duhet të angazhohen për ngritjen e kërkesës për një hetim të pavarur në takimet e tyre me zyrtarë relevantë të BE-së dhe të OKB-së, si dhe me diplomatë të tjerë ndërkombëtarë”.

Në protestën e 10 shkurtit 2007 ishte kundërshtuar plani i krye negociatorit të Kombeve të Bashkuara Martti Ahtisaari, në bazë të të cilit një vit më vonë, Kosova shpalli pavarësinë e saj.

Lëvizja Vetëvendosje vazhdon të cilësojë atë plan si një kompromis të dëmshëm për Kosovën, ndërsa edhe sot ajo kundërshton çfarëdo bisedimesh të pakushtëzuara me Beogradin.
XS
SM
MD
LG