Lidhje

AI: drejtësi për ngjarjet e 10 shkurtit 2007 në Kosovë


Organizata ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, Amnesty International, i ka bërë thirrje misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë që të kërkojë ndjesë për dështimin që të mbrojë jetët e Mon Balajt dhe Arben Xheladinit, që u vranë gjatë ndërhyjes së policisë për të shpërndarë një protestë të lëvizjes Vetëvendosje më 10 shkurt të vitit 2007, kundër negociatave për statusin politik të Kosovës.

Hetimet, të cilat atëbotë u drejtuan nga prokurori amerikan, Robert Dean, vërtetuan se të dy ata ishin qëlluar me plumba gome nga pjesëtarët rumunë të policisë së UNMIK-ut. Mirëpo, policët u kthyen në Rumani para përfundimit të hetimeve.

Amnesty International thekson në një raport të publikuar të premten se “hetimet e brendshme të UNMIK-ut në vitin 2007 kishin përfunduar se “plumbat ishin me afat ta skaduar të përdorimit “dhe se një numër prej dhjetë pjesëtarësh të policisë rumune kishin qëlluar “drejtpërdrejt mbi protestuesit”.

Rreth 80 protestues pësuan plagë gjatë ndërhyrjes së policisë, ndërsa pati edhe shumë të arrestuar.

Amnesty International thotë se asnjëherë nuk është hapur një hetim i pavarur për vrasjet”.

Gjatë asaj proteste ishte kundërshtuar plani i krye negociatorit të Kombeve të Bashkuara Martti Ahtisaari, në bazë të të cilit një vit më vonë, Kosova shpalli pavarësinë e saj.

Lëvizja Vetëvendosje vazhdon të cilësojë atë plan si një kompromis të dëmshëm për Kosovën, ndërsa edhe sot ajo kundërshton çfarëdo bisedimesh të pakushtëzuara me Beogradin.

Në raport theksohet se familjeve të Mon Balajt dhe të Arben Xhelaidnit si dhe dy personave të tjerë të plagosur, u janë ofruar kompensime materiale por jo edhe dëmshpërblime të tjera.

Dhjetë vjet pas atyre ngjarjeve, Amnesty International kërkon që të gjithë atyre që kanë pësuar t’u jepet dëmshpërblim i plotë. Organizata i kërkon përfaqësuesit të posaçëm të Kombeve të Bashkuara që të ndërmarrë veprime të mëtejme për të siguruar që autorët të vihen para drejtësisë.

XS
SM
MD
LG