Lidhje

Kosova shënon 17 vjetorin e fillimit të luftës


Përvjetori i fillimit të luftës, Kosovën e gjen në një periudhë të përgatitjeve për ngritjen gjykatës së posaçme që do të trajtojë pretendimet për përfshirje të ish pjesëtarëve të UÇK-së në krime lufte.

Në Kosovë të enjten filluan manifestimet treditëshe në përkujtim të 17 vjetorit të betejës së fshatit Prekaz të komunës së Skenderajt e cila shënoi edhe fillimin e luftës gati dy vjeçare në Kosovë. Më 5 mars të vitit 1998, forcat serbe rrethuan familjen Jashari në këtë fshat. Gjatë disa ditë luftimesh humbën jetën 54 anëtarë të familjes përfshirë edhe Adem Jasharin, që shqiptarët e njohin si komandant legjendar të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Dhjetë vjet pas asaj beteje Kosova shpalli pavarësinë e saj e cila deri tash është njohur nga mbi 100 vende të botës përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe vendet më të rëndësishme të Bashkimit Evropian, ndërsa vazhdon të kundërshtohet nga Beogradi.

Pervjetori i luftes ne Kosove
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:21 0:00

Shtatëmbëdhjetë vjet pas betejës së Prekazit, Kosova përballet me problemin e tejkalimit të trashëgimive të luftës. Edhe më tej nuk dihet asgjë për fatin e mbi një mijë e 600 personave të zhdukur, pjesa më e madhe e të cilëve të përkatësisë kombëtare shqiptare.

Udhëheqësit më të lartë të Kosovës thanë se asnjë arritje në Kosovë nuk mund të përfytyrohet pa sakrificën e qytetarëve të saj dhe të ish Ushtrisë Çlirimtare që hapi një kapitull të ri atë të lirisë së Kosovës.

Një vit më parë, qeveria e Kosovës vendosi që pasardhësja e kësaj ushtrie, Forca e Sigurisë së Kosovës të shndërrohet në Forcat e Armatosura që do të kenë 5 mijë pjesëtarë aktiv dhe tre mijë rezervë.

Ngritja e Forcave të Armatosura të Kosovës nënkupton miratimin e ligjit për formimin e tyre dhe ndryshime në kushtetutën e vendit. Veprimet e tilla kërkojnë dy të tretat e votave të të gjithë deputetëve të Parlamentit dhe dy të tretat e votave të pakicave kombëtare. Në pranverën e vitit të kaluar, parlamenti dështoi të miratojë themelimin e këtyre forcave dhe ai dështim ishte vendimtar që vendit të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Manifestimet me rastin e shtatëmbëdhjetë vjetorit të fillimit të luftës, Kosovën e gjejnë në një periudhë të përgatitjeve për ngritjen e një gjykate të posaçme që do të trajtojë pretendimet për përfshirje të ish pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në krime lufte. Gjatë ditëve të vazhdim pritet që institucionet të fillojnë ndryshimet kushtetuese që lidhen me këtë gjykatë, të miratojnë ligjin për këtë çështje dhe të hartojnë statusin e saj.

Në prill të vitit të kaluar parlamenti i Kosovës me 89 vota për e 22 kundër miratoi themelimin e gjykatës së posaçme. Sivjet, opozita ka paralajmëruar votimin kundër ngritjes se saj. Qeveria thekson se dështimi për të ngritur gjykatën do të çonte çështjen në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara gjë që “do ta kthente Kosovën prapa”.

Ideja për themelimin e gjykatës pasoi hetimet e pretendimeve të të dërguarit të Këshillit të Evropës Dikc Marty për trafikim organesh në Kosovë, përkatësisht përfshirjen e disa prej ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në krime të luftës.

Në dhjetor të vitit të kaluar amerikani David Schëendiman është emëruar në postin e kryeprokurorit të Grupit Hetues të Bashkimit Evropian, për hetimin e këtyre pretendimeve, duke pason në këtë post prokurorin amerikan Clint Ëilliamson, i cili u tërhoq në gusht të vitit të kaluar nga kjo detyrë.

Në fund të muajit korrik të vitit 2014, prokurori Ëilliamson tha se zyrtarë të lartë të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do të përballen me akuza për krime kundër njerëzimit.

Hetimet kishin nxitur reagime dhe protesta ne Kosovë, ku pohohet se në këtë mënyrë po bëhet barazimi me mizoritë e forcave serbe gjatë luftës në Kosovë.

Ngritja e gjykatës së posaçme nuk është parë me sy të mirë as nga qeveria e Kosovës, ndërsa diplomatët ndërkombëtarë po bëjnë thirrje për përshpejtimin e themelimit të saj, në radhë të parë, siç thuhet, për të hequr retë nga emri dhe historia e Kosovës.

XS
SM
MD
LG