Parlamenti i Kosovës diskutoi për më shumë se tetë orë të martën në një seancë të jashtëzakonshme, për ratifikimin e marrëveshjes për shënimin e kufirit me Malin e Zi, më shumë se dy vjet e gjysmë pas nënshkrimit të saj.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj duke e paraqitur projektligjin për marrëveshjen u bëri thirrje deputetëve që ta votojnë atë duke i siguruar ata se versioni i ri i projektligjit siguron përmirësimin e gabimeve të mundshme dhe Kosova nuk do të jetë humbëse.
“Vota për këtë ligj është votë për shtetin, për perspektivën euro-atlantike dhe lirinë e lëvizjes”, tha kryeministri Haradinaj, partitë e koalicionit qeverisës të të cilit janë zotuar për votimin e saj.
Projektligji mbështetet edhe nga Lidhja Demokratike e Kosovës në opozitë, shefi i grupit parlamentar të së cilës, Avdullah Hoti, e kritikoi kryeministrin Haradinaj për qëndrimin e tij kundër kësaj marrëveshjeje në të kaluarën dhe i bëri thirrje që pas ratifikimit të saj të jap dorëheqje dhe ta çojë vendin në zgjedhje të reja.
Kundër projektligjit është shprehur lëvizja Vetëvendosje, e cila futi në sallën e parlamentit nënshkrimet e peticionit të qytetarëve të Kosovës kundër marrëveshjes që ishte mbështetur dikur edhe nga vet kryeministri Haradinaj, derisa ishte në opozitë.
Kundër është shprehur edhe grupi i deputetëve të pavarur i përbërë nga ish deputetët e lëvizjes Vetëvendosje që u ndanë prej saj. Lista serbe ndërkaq është shprehur e pa interesuar për t'u bërë pjesë e votimit për marrëveshjen.
Marrëveshja për kufirin me Malin e Zi, kishte ndarë skenën politike në vend për gati tre vjet.
E nënshkruar në fund të gushtit të vitit 2015, ajo është ratifikuar nga parlamenti i Malit të Zi, por nuk është ratifikuar nga Kosova për shkak të mospajtimeve që çuan edhe në skena të dhunshme në parlament dhe jashtë tij. Kundërshtarët e marrëveshjes pohojnë se Kosova humb mbi 8 mijë hektarë tokë.
Muajin e kaluar, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Malit të Zi, Filip Vujanoviç u pajtuan për shqyrtimin e gabimeve të mundshme në marrëveshje, duke rihapur diskutimet për ratifikimin e mundshëm të saj nga parlamenti i Kosovës.
Mos ratifikimi i kësaj marrëveshjeje që është kusht për liberalizimin e vizave ka bërë që qytetarët e Kosovës ende të presin në radhë për viza para ambasadave evropiane, ndërsa është edhe një nga kushtet që Kosova duhet përmbushë drejt rrugës së saj drejt integrimeve evropiane.
Facebook Forum