Kryeministri i Bullgarisë, Boyko Borissov, tha të hënën që nëse Kosova e Serbia nuk nënshkruajnë marrëveshje normalizimi ndërmjet tyre, asnjëra palë nuk do të integrohet në Bashkimin Evropian. Ai i bëri këto komente gjatë një vizite në Prishtinë, ku është takuar me udhëheqësit e institucioneve të Kosovës.
Kryeministri bullgar tha se Kosova dhe Serbia duhet të gjejnë një zgjidhje
“E keni për detyrë të gjeni kompromisin e arsyeshëm që të mund të shkojmë përpara, të gjitha korridoret evropiane shërbejnë edhe për juve dhe tërë rajoni do të jetë i ndryshëm. Kryesorja është të mos shohim mbrapa por përpara, dhe në muajin maj në Samitin e Sofjes të mund t’u themi udhëheqësve evropian që të gjithë në Ballkan janë të vendosur”, tha ai.
Kryeministri Borissov u bëri thirrje udhëheqësve të Ballkanit që t’i lënë anash siç tha egoizmat personale, pasi që sipas tij, egoizmi i njëri shtet mund të shkaktojë probleme për shtetet tjera ndërsa theksoi se Bashkimi Evropian nuk dëshiron që problemet historike dhe gjeografike të transferohen brenda saj.
Në muajin maj në Sofje të Bullgarisë pritet të mbahet takimi i lartë ndërmjet udhëheqësve të vendeve të Bashkimit Evropian dhe të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, që synojnë integrimin. Por, prania e Kosovës në këtë samit ka ngjallur shumë reagime te disa vende që nuk e kanë njohur Kosovën. Kryeministri Borissov tha se ka ftuar presidentin e Kosovës Hashim Thaçi që më 16 dhe 17 maj të jetë i pranishëm në Sofje.
“Kosova do të përfaqësohet ashtu siç e kanë njohur 116 shtete dhe në mes tyre edhe Bullgaria ndërsa për ato që nuk e kanë njohur, do të gjejmë një zgjidhje”, tha zoti Borissov.
Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi tha se takimi i Sofjes është një mundësi e veçantë për Kosovën dhe sipas tij zgjerimi i Bashkimit Evropian është rruga e vetme si për rajonin ashtu edhe për Evropën.
“Ishte konstatim i dyanshëm, i përbashkët se Bashkimi Evropian do të jetë i plotë vetëm atëherë kur Kosova dhe tërë rajoni të jetë pjesë e saj. Kjo nënkupton jo vetëm paqe dhe qëndrueshmëri por ngritje të mirëqenies së gjithëmbarshme”, tha ai.
Presidenti Thaçi tha se Kosova kërkon jo vetëm vazhdimin e bisedimeve me Serbinë por t'i shndërrojë ato në negociatë të mirëfillta të fqinjësisë së mirë, të pajtimit dhe të paqes ndërmjet Kosovës e Serbisë por edhe për rajonin.
Arritja e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse ndërmjet Kosovës e Serbisë mbetet një nga kushtet për të dyja vendet drejt rrugës evropiane.
Në fillim të muajit shkurt, Komisioni Evropian shpalosi Strategjinë për Zgjerimin me vendet e Ballkanit Perëndimor, që është një nga zhvillimet e rëndësishme për rajonin gjatë këtij viti.
Të martën, Komisioni Evropian do të publikojë raportin e përparimit të këtyre vendeve, ndërsa në muajin maj në Sofje, pritet të mbahet takimi i lartë i vendeve të Ballkanit Perëndimorë.
Strategjia e zgjerimit do të diskutohet më pas në qershor në takimin e lartë të Bashkimit Evropian, ndërsa në korrik në Londër do të mbahet takimi i radhës i vendeve të Ballkanit Perëndimorë.
Këto zhvillime shihen si një përpjekje e ripërtërirë e Bashkimit Evropian për një qasje ndryshe ndaj rajonit të trazuar për shkak të rritjes së ndikimit rus, krizës së emigracionit, rrëshqitjes së Turqisë drejt autoritarizmit dhe synimit për të forcuar integrimin evropian pas largimit të Britanisë në vitin 2019.
Facebook Forum