Lidhje

KiE kërkon drejtësi për viktimat e luftës në Kosovë


Komisionari i Këshillit të Evropës për të drejtat e njeriut, Nils Muiznieks, tha të hënën se Kosova duhet të punojë për të ngritur një shoqëri të së drejtës duke ndjekur krimet e luftës, të nxisë tolerancën ndëretnike, të punojë për ndriçimin e fatit të personave të zhdukur dhe të ndriçojë rastet e vrasjes së gazetarëve gjatë dhe pas luftës.

Në një dokument të hartuar pas vizitës së tij në Kosovë në muajin shkurt, ai tha se Kosova duhet t'u jap fund mosndëshkimeve për krimet e luftës duke u siguruar që autorët të vihen para drejtësisë.

Ai vuri theksin te sistemi i "shumë i dobët" i mbrojtjes së dëshmitarëve. "Çdo kërcënim apo frikësim i dëshmitarëve duhet të hetohet dhe autorët e këtyre veprimeve të vihen para drejtësisë" tha ai.

Në dokument thuhet se në funksion të ngritjes së një shoqërie të së drejtës dhe për të mundësuar pajtimin, Kosova duhet të merret me ndriçimin e fatit të të gjithë personave të zhdukur, të sigurojë dëmshpërblim për viktimat e luftës dhe të mundësojë kthimin vullnetar të personave të zhvendosur pas përfundimit të luftës.

Mbi 10 mijë veta janë vrarë dhe mijëra të tjera janë zhdukur gjatë luftës së viteve 1998-1999 në Kosovë, që përfundoi me ndërhyrjen e trupave të NATO-s.

Edhe më tej mbi 1 mijë e 600 persona llogariten të zhdukur që nga përfundimi i luftës, pjesa më e madhe e të cilëve të përkatësisë kombëtare shqiptare. Komisionari Muiznieks u ka bërë thirrje si Prishtinës dhe Beogradit të tregojnë më shumë vullnet politik për ndriçimin e fatit të tyre.

Në këtë kuadër ai kërkon hapjen e arkivave të ushtrisë dhe policisë serbe në mënyrë që të shfrytëzohet çdo informacion në lidhje me fatin e të zhdukurve.

Komisionari Muiznieks, mes tjerash ka kërkuar që sistemi arsimor të përfshihet në përpjekjet për të nxitur pajtimin dhe tolerancën ndër-etnike, duke bërë thirrje që të rishikohen tekstet shkollore dhe materialet tjera mësimore që përmbajnë "elemente të nacionalizmit dhe paragjykimit" si dhe "të bëhen përpjekje të fuqishme për përdorimin e metodave të reja të mësimdhënies që nxisin mirëkuptimin ndërkulturor, përfshirë edhe historinë".

Ai bën thirrje edhe për vënie para drejtësisë të autorëve të vrasjes dhe zhdukjes në 13 raste të gazetarëve shqiptarë dhe serbë në mes të viteve 1998 dhe 2005 si dhe të krijohet një mjedis i më i sigurt për gazetarët dhe profesionistët e tjerë të medies.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG