Lidhje

Konfirmohen akuzat për korrupsion ndaj Fatmir Limajt


Akuzat kanë të bëjnë me periudhën kur zoti Limaj ishte ministër i transportit dhe telekomunikacionit në Kosovë

Në Prishtinë, Gjykata Themelore, konfirmoi shumicën e akuzave kundër ish ministrit të transporteve dhe telekomunikacionit Fatmir Limaj dhe tre ish bashkëpunëtorëve të tij nën dyshimet për korrupsion.

Në një njoftim të gjykatës, thuhet se trupi gjykues i drejtuar nga EULEX-i, gjeti prova të mjaftueshme për dyshim të bazuar së të pandehurit Fatmir Limaj, ish ministër, Nexhat Krasniqi, ish Shef i Prokurimit dhe Endrit Shala, ish Shef i Kabinetit, formuan një grup të organizuar kriminal i cili kreu veprat e rënda penale të shpërdorimit të pozitës ose autoritetit zyrtar dhe marrjes së ryshfeteve. Përveç kësaj, gjykata gjeti dyshim të mirë-bazuar se i pandehuri Florim Zuka, pronar i një kompanie private, ka kryer veprën penale të ofrimit të ryshfeteve, dhe keqpërdorimit të autorizimeve në ekonomi.

Gjykata konfirmoi edhe akuzën ndaj zotit Limaj për mosdeklarimin e parave në kohën që konkurronte për zgjedhjet komunale të Prishtinës në vitin 2007.

Gjykata hodhi poshtë akuzat për lidhje të kontratave të dëmshme, ato për pastrim parash dhe armëmbajtje pa leje. Gjykata rrëzoi në tërësi akuzat ndaj tre të dyshuarve të tjerë, përfshirë dy vëllezërit e zotit Limaj.

Akuzat e konfirmuara sot ishin ngritur në nëntor të vitit të kaluar, pas një periudhe të gjatë hetimesh që filluan në prill të vitit 2010, kundër zotit Limaj, nën dyshimet për korrupsion në Ministrinë e Transporteve dhe Telekomunikacionit, ministri që ishte përgjegjëse për ndërtimin e rrugëve, përfshirë edhe autostradën që lidhë Kosovën me Shqipërinë.

Aktualisht zoti Limaj dhe nëntë ish bashkëluftëtar të tij janë në pritje të përfundimit të procesit gjyqësor nën akuzat për krime lufte. Në nëntor të vitit të kaluar qe vendosur kthimi i tij në rigjykim nën akuzat për krime lufte kundër popullatës civile dhe kundër të burgosurve të luftës, në pjesën e parë të vitit 1999.

Në muajin maj të vitit 2012, zoti Limaj qe shpallur i pafajshëm për të gjitha akuzat, që mbështeteshin kryesisht mbi dëshmitë e një ish pjesëtari të Ushtrisë Çlirimtare, Agim Zogaj, i cili qe bërë i njohur si dëshmitari X, deri në muajin shtator të vitit 2011, kur kreu vetëvrasje në Gjermani.

Ai për një kohë kishte mbajtur ditar ku kishte shënuar ngjarjet e përfshira në akuzë. Më 21 mars të vitit 2012, pohimet e dëshmitarit qenë shpallur të papranueshme nga gjykata.

Kjo është hera e dytë që zoti Limaj përballet me akuzat për krime lufte. Më 30 nëntor të vitit 2005 Gjykata Ndërkombëtare për Krime lufte në Hagë shpalli të pafajshëm Fatmir Limajn i njohur me emrin e luftës si komandant Çeliku, i cili në shkurt të vitit 2003 qe akuzuar për përfshirje në krime kundër civilëve shqiptarë dhe serbë gjatë luftës së vitit 1998.
XS
SM
MD
LG