Lidhje

Kosnett: Në Kosovë disa zyrtarë shpesh e vendosin interesin e tyre përpara të mirës publike


Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, Philip Kosnett, tha të hënën se qeveria e Kosovës duhet të dëshmojë se mund të dënojë zyrtarët e korruptuar dhe atë duke filluar nga zyrtarët e lartë.

Ai i bëri këto komente në një veprimtari të përbashkët me ambasadorët e vendeve kryesore perëndimore në Kosovë në hapje të Javës kundër korrupsionit.

Java kundër korrupsionit në Kosovë
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:07 0:00

Ambasadori Kosnett tha se përgëzon qeverinë për përparimet e shënuara në luftën kundër korrupsionit, por kjo luftë është ende e pamjaftueshme.

“Transparenca dhe ligjet janë thelbësore, qeveria tani duhet të dëshmojë se është e gatshme të dënojë zyrtarin e korruptuar, për të ndëshkuar praktikat dhe sjelljet korruptive, duke filluar nga lart poshtë”, tha ai duke nënvizuar se ligjet e mira funksionojnë vetëm kur zbatohen dhe atë në mënyrë të barabartë dhe me drejtësi për të gjithë.

“Siç e dimë të gjithë, disa zyrtarë qeveritarë marrin ryshfet, punësojnë miqtë dhe ndërhyjnë në gjyqësor. Disa vazhdimisht abuzojnë me pozicionet e tyre zyrtare me një qëllim; që të përfitojnë për veten e tyre, anëtarët e familjes dhe madje edhe miqtë e tyre. Në Kosovë fatkeqësisht, disa zyrtarë shpesh e vendosin interesin e tyre personal përpara të mirës publike. Korrupsioni në të gjitha nivelet, ndëshkon imazhin e Kosovës brenda dhe jashtë vendit, zvogëlon besimin e qytetarëve në qeveri dhe dekurajon investimet dhe rritjen ekonomike”, tha ambasadori Kosnett, duke nënvizuar se tashmë është koha për të lëvizur nga transparenca te përgjegjësia.

Ambasadori britanik në Kosovë, Ruairi O’Connell, tha se vendet perëndimore kanë nevojë për një partner në këtë pjesë të botës që lufton korrupsionin, krimin e organizuar, që sipas tij, cenojnë jo vetëm Kosovën por edhe vendet tjera.

“Kur flasim për politikanë që cenojnë prokurorët që të mos hetojnë korrupsionin, ne e dimë për kënd po flasim. Kur flasim për nepotizëm, për punësimin e njerëzve pa meritë dhe pa transparencë, por vetëm për lidhjet partiake dhe personale, ne e dimë për kënd po flasim. Dua të them që është shumë e rëndësishme që Kosova të kuptoj që ka përkrahjen nga partnerët ndërkombëtarë dhe e keni parë sot sa përkrahjen e keni”, tha ambasadori O’Connel.

Shefja e zyrës së Bashkimit Evropian në Prishtinë, Natalya Apostolova, tha se për Evropën lufta kundër korrupsionit vazhdon të mbetet përparësi. Ajo tha se Bashkimi Evropian përmes mekanizmave të ndryshëm është duke shtyrë Kosovën që të luftojë korrupsionin.

“Luftimi i praktikave korruptive është shumë i lidhur me një qeverisje më të gjerë dhe agjendë të reformës së administratës publike. Kjo është arsyeja pse në strategjinë e Ballkanit Perëndimor të këtij viti, ne jemi përqendruar në çështjen e kapjes së shtetit dhe ndërhyrjeve të vazhdueshme publike dhe private në të gjitha nivelet e qeverisë dhe administratës. Zgjidhja e kësaj situate kërkon një përzgjedhje në bazë të meritës, pa ndërhyrje politike, komerciale ose të ndonjë patronazhi”, tha zonja Apostolova.

Autoritetet në Kosovë thonë se janë duke bërë përpjekje që të luftojnë korrupsionin duke hartuar legjislacion që ashpërsojnë masat ndaj keqpërdorimeve.

Muajin e kaluar, parlamenti i Kosovës miratoi nëntë projektligje që lidhen me reformimin e sistemit të drejtësisë dhe rritjen e efikasitetit në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, konfiskimin e pasurisë së përfituar me vepër penale, rritjen e llogaridhënies dhe përgjegjësisë brenda sistemit gjyqësor dhe prokurorial.

Organizatat e shoqërisë civile që vëzhgojnë sistemin e drejtësisë në Kosovë, thonë se edhe gjatë vitit 2018 me gjithë përmirësimet në legjislacion, lufta kundër korrupsionit në praktikë ka shënuar ngecje dhe se sipas tyre se sfida kryesore mbetet mosndëshkimi i zyrtarëve të profilit të lartë të përfshirë në raste të korrupsionit dhe lidhjet e ndikimet e tyre mbi prokurorët dhe gjyqtarët.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG