Lidhje

Dënohet me kusht një grua në Kosovë për pjesëmarrje në luftën e Sirisë


Një gjykatë në Prishtinë e shpalli fajtore dhe e dënoi me dy vjet e gjysme heqje lirie me kusht, një grua që është kthyer në pranverën e këtij viti nga Siria.

Merita Aliu, u dënua për veprën penale “organizim dhe pjesëmarrje në grup terrorist”, ndërsa nuk do të vuajë dënimin nëse brenda tri vjetësh nuk përfshihet në ndonjë vepër penale.

Gjykata mori parasysh faktin se e akuzuara pranoi fajësinë dhe u shpreh e penduar. “Prej fillimit kur kam ardhur kam thënë që jam penduar, nëse e kisha kthyer kohën nuk do ta bëja kurrë këtë gabim”, tha ajo para trupit gjykues.

Mbrojtja e saj tha se gjykata mori parasysh edhe faktin se është nënë vetushqyese dhe ka dy fëmijë, njëri nga të cilët me probleme shëndetësore.

Merita Aliu është nja nga 110 personat që u kthyen në prill të këtij viti në Kosovë në një operacion të qeverisë me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara.

Nga të kthyerit, 32 janë gra, 74 fëmijë dhe 4 burra. Menjëherë pas kthimit burrat u dërguan në burg, ndërsa autoritetet filluan hetimet ndaj 32 grave.

Edhe më tej në zonat e konfliktit, sipas të dhënave që ka siguruar policia e Kosovës, janë 30 luftëtarë, 49 gra dhe tetë fëmijë.

Autoritetet në Kosovë thonë se ata që kanë kryer vepra penale do të përgjigjen para drejtësisë, ndërsa të tjerëve do t’u ofrohen mundësi për rehabilitim dhe ri integrim.

Rënia e grupit militant Shteti Islamik, që dikur kontrollonte mbi 100 mijë kilometra katrorë territor dhe së paku tetë milionë njerëz, ka bërë që shumë luftëtarë të tij të kapen ndërsa familjarët e tyre të mbahen kampeve të ndryshme.

Që nga fillimi i konfliktit në Siri, rreth 400 qytetarë të Kosovës besohet se janë përfshirë në konfliktet në Lindjen e Mesme. Mbi 70 veta kanë humbur jetën, ndërsa qindra janë kthyer nëpër vite prej andej, kryesisht të zhgënjyer me atë me të cilën janë përballur. Mbi 50 veta janë dënuar deri tash për përfshirje në luftërat në Lindjen e Mesme nxitje dhe rekrutim të luftëtarëve.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG