Lidhje

Kosovë: Covid-19; Shkon në 61 numri i të prekurve


Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike konfirmoi të hënën edhe 26 raste të reja të të infektuarve me koronavirus, duke e çuar në 61 numrin e të prekurve.

Në një njoftim të këtij instituti thuhet se “nga 26 rastet e konfirmuara të gjitha janë kontakte të gjurmuara të rasteve pozitive (familjarë dhe kontakte të ngushta), të detektuara përmes hulumtimit aktiv epidemiologjik. Prej tyre 14 raste janë nga komuna e Malishevës, 11 raste nga Gjilani dhe 1 rast nga Gjakova”.

Të dielën u shënua viktima e parë e këtij virusi, një 82 vjeçar nga fshati Dumnicë i komunës së Podujevës, i cili sipas Klinikës Infektive në Prishtinë, vuante edhe nga sëmundje të tjera kronike.

Autoritetet paralajmëruan se dy tre javët në vazhdim pritet të jenë vendimtare për luftën kundër koronavirusit, ndërsa po u bëjnë thirrje qytetarëve që të respektojnë masat e vendosura në përpjekje për parandalimin e përhapjes së COVID-19.

Të hënën mbrëma qeveria e Kosovës vendosi kufizimin e lëvizjes së qytetarëve, si masë për të penguar zgjerimin e koronavirusit, duke nxitur reagimin e presidentit Hashim Thaçi, i cili tha se kjo paraqet shkelje të rëndë të Kushtetutës së vendit.

Përplasjet e së hënës mbrëma vetëm sa thelluan krizën politike në Kosovë.

Në parlamentin e Kosovës është dërguar një mocion për rrëzimin e qeverisë së kryeministrit Albin Kurti nga Lidhja Demokratike që është pjesë e koalicionit qeverisës.

Të martën kryesia e parlamentit duhet të vendosë kur do të hidhet në parlament ky mocion që pasoi shkarkimin e ministrit të Brendshëm, Agim Veliu nga radhët e Lidhjes Demokratike, për shkak të mospajtimeve rreth shpalljes apo jo të gjendjes së jashtëzakonshme, të cilën e kërkoi më 18 mars presidenti Hashim Thaçi, por pa pajtimin e kryeministrit.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG