Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë, konfirmoi të premten mbrëma 23 raste të reja të të prekurve nga koronavirusi.
Sipas institutit 18 raste janë nga komuna e Ferizajt, 2 raste nga Vitia, 1 nga komuna e Hanit të Elezit, 1 nga Prizreni dhe 1 rast në Prishtinë.
Rastet e reja e çuan në gjithsej 250 numrin e të prekurve nga koronavisuri, nga pasojat e të cilit kanë humbur jetën 7 persona. Sipas mjekëve ata kishin “sëmundje të tjera shoqëruese”.
Instituti njoftoi se sot janë shpallur të shëruar edhe 14 pacientë, duke e çuar në 52 numrin e përgjithshëm të të shëruarve.
Një pjesëtar i KFOR-it preket nga koronavirusi
Forcat paqeruajtëse në Kosovë thanë të premten se një pjesëtar i këtyre forcave është prekur nga koronavirusi.
"Rasti i parë me COVID-19 është regjistruar në mesin e personelit të forcave të udhëhequra nga NATO-ja në Kosovë”, thuhet në një njoftim të misionit.
KFOR-i nuk dha ndonjë hollësi se prej nga vjen i infektuari, por theksoi se kjo nuk do të ndikojë në punën e tij.
Aktualisht misioni i NATO-s ka rreth 3 mijë e 500 trupa në Kosovë në mesin e të cilëve edhe 659 paqeruajtës nga Shtetet e Bashkuara.
Autoritetet po u bëjnë thirrje qytetarëve të respektojnë masat për parandalimin e zgjerimit të virusit, ndërsa janë vënë në përpjekje për të gjetur një mënyrë për të kufizuar lëvizjen e qytetarëve sipas aktgjykimit të gjykatës Kushtetuese të 31 marsit e cila shfuqizoi një vendim të qeverisë në detyrë për kufizim të lëvizjes. Masat shfuqizohen më 13 prill, ndërsa mjekët kërkojnë kufizimin e lëvizjeve si një nga veprimet thelbësore për pengimin e zgjerimit të koronavirusit.
Facebook Forum