Lidhje

Kosovë, nga 18 maji lehtësime të reja të kufizimeve


Qeveria në detyrë e Kosovës tha se nga e hëna, 18 maj, do të fillojë lehtësimi i më tejmë i masave kufizuese që ishin vendosur për shkak të pandemisë së COVID-19.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, në një konferencë për gazetarë tha se pas rekomandimeve të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike janë përmbushur kushtet për fillimin e fazës së dytë të lehtësimit.

Nga e hëna do të rihapen këto biznese; floktarët dhe sallonet e ondulimit, stomatologët dhe fizioterapeutët, tregtarët me pakicë dhe tregu i gjelbër, gastronomia, pra varianti merre me vete, transporti hekurudhor, transporti urban dhe ndër urban me leje të veçanta, qendrat e thirrjeve telefonike me lista të stafit esencial, si dhe galeritë dhe muzetë. Qytetarët do të kenë mundësi që të dalin dy herë në ditë nga dy orë, varësisht nga numri i fundit në kartat e tyre të identitetit”, tha zoti Kurti.

Ai tha se deri më datën 25 maj do të vëzhgohet situata dhe në rast se rritet numri i të prekurve do të rivendosen kufizimet.

Deri të premten mbrëma numri i të prekurve nga koronavirusi arriti në 955 persona, nga të cilët 29 kanë humbur jetën, ndërsa janë shëruar 691.

Përplasje në distancë ndërmjet presidentit Thaçi dhe kryeministrit Kurti

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, akuzoi të premten kryeministrin në detyrë Albin Kurti, ministrin e Shëndetësisë Arben Vitia dhe ushtruesin e detyrës së ministrit të Brendshëm Xhelal Sfeçla për siç tha “shtytje në vetëvrasje” të një të riu nga Gjilani i cili vdiq pasi u hodh nga një ndërtesë në qendrën e Srudentëve, që është shndërruar qendër të karantinës për qytetarët që kthehen në Kosovë gjatë pandemisë.

Unë mendoj se grupi i Kurtit, Sveçlës dhe Vitisë duhet të sqarojë çështjen e rrezikut të jetës që i kanosej zotit Pacolli gjatë fluturimit të tij në Prishtinë dhe pse ka devijuar zoti Pacolli në drejtim të Tiranës, sikurse ka përgjegjësi morale dhe ligjore të japin grupi i Kurtit, Vitia dhe gjithashtu Sveçla për shtytjen në vetëvrasje të studentit nga konviktet në Prishtinë si dhe seleksionimin politik të njerëzve se kush karantinohet e kush jo. Ata duhet të përgjigjen sa më shpejt aq më mirë”, tha presidenti Thaçi.

Lëvizja Vetëvendosje tha se po shqyrton mundësinë që t’u drejtohet organeve të drejtësisë për shkak të, siç thanë, “shpifjeve të presidentit, fyerjes së rëndë të integritetin politik dhe njerëzor dhe nxitje të përçarjes e mosdurimit”. Në një komunikatë të kësaj lëvizjeje thuhet se “akuza të tilla janë të rënda, dhe për to duhet marrë përgjegjësi. Është tej mase e trishtueshme të shihet se si presidenti mundohet të përdorë dhimbjen dhe fatkeqësinë e dikujt tjetër, për të hedhur baltë mbi institucionet e vendit. Presidenti, është duke mbuluar me turp postin që e mban, duke zvetënuar integritetin moral e shtetëror të figurës së Presidentit duke u kthyer në një zëdhënës të insinuatave të fabrikuara nga vet ai dhe rrjeti i ndikimit të tij ilegal”, thuhet në reagimin e kësaj lëvizjeje.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha ndërkaq se presidenti i vendit është i frustruar dhe po kërkon më shumë pushtet.

Ne kemi një president të frustruar që po bëhet gati për fushata zgjedhore. Më së miri dhe së drejti dhe më sinqertë nuk mund të jetë se të dorëhiqet dhe të vijë në fushatë, pasi ashtu po sillet, ashtu po flet. Presidenti nuk është i kënaqur me ulësen e tij dhe bën mirë ta lëshojë dhe të vijë në fushatë zgjedhore dhe të shikojë për vizionin që do ta japë dhe votat që do marrë. Ai qartazi dëshiron të jetë më shumë se president dhe për ta bërë këtë i duhet një kryeministër më pak se kryeministër, këtë nuk mund ta gjejë të unë”, tha zoti Kurti.

Polemikat në distancë ndërmjet të dy udhëheqësve politikë, rivalë të vjetër, janë thelluar pas rrëzimit të qeverisë së kryeministrit Kurti më 25 mars dhe mospajtimeve rreth rrugëdaljes nga situata e krijuar në vend.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG