Lidhje

Kosovë, 58 raste të reja të të prekurve me COVID-19


Autoritetet në Kosovë konfirmuan të premten 58 raste të reja të të infektuarve me COVID-19.

Rastet e reja u konfirmuan për 227 testeve dhe paraqesin numrin më të lartë të rasteve të konfirmuara në një ditë që nga fundi i muajit të kaluar.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike tha se 12 raste janë nga komunë e Fushë Kosovës, 12 nga komuna e Vitisë, 11 nga komuna e Prishtinës, 10 nga komuna e Mitrovicës, 9 nga komuna e Vushtrrisë, 3 raste nga komuna e Prizrenit dhe 1 rast në Rahovec.

“Në javën e fundit kemi shfaqje të rasteve pozitive në mesin e punëtorëve të organizatave si: Posta e Kosovës, Korporata Energjetike e Kosovës, Galeria e arteve, institucione bankare, shëndetësore, agjenci e kompani tregtare dhe biznese private”, thuhet në një njoftim të këtij instituti.

Rastet e së premtes e çuan në 1 mijë e 384 numrin e përgjithshëm të të prekurve prej të cilëve 31 kanë humbur jetën, ndërsa 921 veta janë shpallur të shëruar. Deri tani janë kryer 17 mijë e 934 testime.

Pas pak njoftimit për rastet e reja. ministri i Arsimit, Ramë Likaj, vendosi ndërprerjen e mësimit plotësues për nxënësit e klasave të 9-ta, si masë parandaluese dhe mbrojtëse për shëndetin e fëmijëve, mësimdhënësve, stafit të angazhuar dhe familjeve të tyre.

“Këtë vendim, ministri Likaj e ka marrë për shkak të situatës së krijuar gjatë kësaj jave dhe duke u bazuar në informatat e pranuara nga tereni, ku është konstatuar se nuk po respektohen disa nga masat e rekomanduara...e në veçanti distanca fizike, mbajtja e maskave, mbajtja e higjienës personale, matja e temperaturës”, thuhet në një njoftim të ministrisë së Arsimit.

Mësimi për këto klasë kishte rifilluar ne kuadër të lehtësimit të masave kufizuese.

Autoritetet po bëjnë thirrje për respektim të masave mbrojtëse dhe udhëzimeve për të penguar zgjerimin e infektimeve, sepse sic thonë, rreziku ende nuk ka kaluar.

Institucionet ndërkombëtare ndërkaq kanë vazhduar të ndihmojnë Kosovën në përballjen me pandeminë. Të enjten ministria e Shëndetësisë pranoi një donacion me pajisje mbrojtëse profesionale për personelin shëndetësor nga ambasada amerikane dhe programi i Ndihmës Humanitare i Komandës Evropiane të SHBA.

Të premten Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Kosovë, i dorëzoi 20 ventilatorët e parë mobil Qendrës Klinike Universitare të Kosovës të blera me fonde të qeverive të Norvegjisë, Zvicrës dhe Luksemburgut.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG