Lidhje

COVID-19 në Kosovë: Lehtësohen kufizimet - arrihet marrëveshje për 1.2 milion vaksina


Ilustrim

Të premten mbrëma ministria e Shëndetësisë në Kosovë tha se është arritur një marrëveshje me kompaninë Pfizer për blerjen e 1 milion e 213 mijë e 290 dozave të vaksinës për COVID-19.

Kjo u bë e ditur pas mbledhjes së qeverisë së Kosovës, e cila vendosi lehtësimin e disa masave kufizuese dhe u zotua sërish se deri në fund të vitit do të bëhet vaksinimi i 60 për qind të popullsisë.

"Ky moment shënon hapin më të rëndësishëm për Republikën e Kosovës përballë COVID-19, duke ruajtur shëndetin e qytetarëve dhe sistemin tonë shëndetësor", tha ministri i Shëndetësisë Arben Vitia, por pa dhënë më shumë hollësi për shkak të siç tha, "kushteve të mirëbesimit" me kompaninë Pfizer.

Deri tani Kosova nuk ka pasur asnjë vaksinë të blerë por ka filluar procesin e vaksinimit me dhurimet nga programi COVAX dhe Bashkimi Evropian.

Qeveria e Kosovës vendosi lehtësimin e masave kufizuese pas vlerësimeve se situata epidemiologjike paraqitet e qëndrueshme dhe është shënuar rënie e rasteve të reja të të prekurve nga COVID-19.

Gjatë pesë ditëve të fundit, në vend janë regjistruar 110 raste me koronavirus dhe katër viktima.

“Ulja e rasteve pozitive për dy javët e fundit, krahasuar me dy javët paraprake shënon rënie për 67.08 për qind”, tha ministri Vitia.

Për këtë arsye qeveria vendosi heqjen e kufizimit të lirisë së lëvizjes dhe zgjati deri në orën 23 orarin e punës së kafeneve dhe restoranteve. Po ashtu, mbajtja e maskave nuk do të jetë e detyrueshme kur një një person është vetëm në mjedise të jashtme.

Megjithatë, nga mesnata deri në orën 05:00, nuk do të lejohet grumbullimi i më shumë se dhjetë personave, qoftë në mjedise të hapura, qoftë në mjedise të tjera, përveç në mjediset familjare.

Lehtësimi i masave hyn në fuqi nga e hëna më 31 maj.

Që nga marsi i vitit të kaluar Kosova ka regjistruar 107 mijë e 354 raste të të prekurve nga koronavirusi. Prej tyre 2 mijë e 242 veta kanë humbur jetën.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG