Lidhje

Kosovë: Rasti i parë i infektimit me variantin ‘beta’ të koronavirusit


Në Kosovë të martën u regjistrua rasti i parë i infektimit me variantin ‘beta’ të koronavirusit, që u regjistrua për herë të parë në Afrikën e Jugut.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike tha në një njoftim se i infektuari është duke u trajtuar në Klinikën Infektive.

“Do të hulumtohen kontaktet për identifikimin eventual të rasteve të reja”, thuhet në njoftimin e këtij Instituti.

Drejtori i Klinikës Infektive, Izet Sadiku, u tha gazetarëve tha se pacienti i prekur nga varianti ‘beta’, është pranuar në klinikë para tre ditësh dhe se gjendja e tij shëndetësore është e qëndrueshme.

“Në bazë të hulumtimeve që janë bërë e vetmja gjë qe dihet është se përhapja e këtij varianti është më e shpejtë se tipi i zakonshëm, si edhe varianti britanik që ka përhapje të shpejtë, por nuk ka ndonjë informatë se jep forma më të rënda klinike. Nuk ka masa të posaçme që duhet të ndërmerren për këtë variant, janë masat e zakonshme në përgjithësi si për variantet tjera të COVID-19ës”, tha zoti Sadiku.

Varianti beta i koronavirusit, u regjistrua për herë të parë në Afrikën e Jugut dhe tashmë është përhapur në rreth 20 vende të botës.

Deri tash në Kosovë nga COVID-19 janë prekur 107 mijë e 507 persona, 2 mijë e 245 prej të cilëve kanë humbur jetën nga pasojat e kësaj sëmundjeje. Ndërkaq të shëruar deri tash janë shpallur 104 mijë e 188 persona.

Sipas të dhënave të ministrisë së Shëndetësisë deri tash janë vaksinuar 80 mijë e 803 persona.

Javët e fundit është shënuar rënie e madhe e të prekurve. Të martën, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike tha se pas 4 mijë e 414 testeve janë konfirmuar 5 raste të reja të të prekurve dhe një person ka humbur jetën në 24 orët e fundit.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG