Lidhje

Kosovë: Rritet numri i të prekurve nga COVID-19


Ilustrim
Ilustrim

Në Kosovë autoritetet konfirmuan të mërkurën 58 raste të reja të të prekurve nga COVID-19.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike tha se janë kryer 3 mijë e 669 teste gjatë 24 orëve të fundit. Një ditë më parë qenë regjistruar 42 raste të reja.

Autoritetet shëndetësore po bëjnë thirrje për vaksinim masiv nga frika e shtimit të rasteve të reja posaçërisht të variantit Delta, i cili fillimisht u identifikua në Indi.

Ministria e Shëndetësisë shkroi në rrjetet sociale se "varianti Delta i COVID-19 mund të përhapet më lehtë sesa variantet tjera që qarkullojnë mes njerëzve, duke rritur kështu numrin e rasteve, shkallën e hospitalizimit dhe të vdekjeve, veçanërisht midis individëve jo të vaksinuar plotësisht".

Sipas kësaj ministrie në 24 orët e fundit janë vaksinuar 13 mijë e 867 persona.

Numri i personave të vaksinuar me të dyja dozat e vaksinave ka shkuar në 124 mijë e 226.

Kosova ka në përdorim vaksinat AstraZeneca dhe Pfizer/BioNTech.

Që nga 13 marsi i vitit 2020, kur janë regjistruar rastet e para të infektimit, autoritetet shëndetësore në Kosovë kanë konfirmuar 108 mijë të prekur ndërsa 2 mijë e 265 veta kanë humbur jetën nga pasojat e tij.

XS
SM
MD
LG