Lidhje

Javë sprove për qeverinë e Kosovës


Kosova ka hyrë në një javë që po shihet si përcaktuese për të ardhmen e qeverisë së saj. Të hënën qeveria pritej të dërgonte për miratim në parlamentin e Kosovës projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes për shënimin e kufirit me Malin e Zi, ndërsa për të mërkurën është caktuar seanca për mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë.

Jave sprove per qeverine e Kosoves
please wait

No media source currently available

0:00 0:04:19 0:00

Por, mbledhja e qeverisë u shty dhe projektligji pritet të dërgohet për ratifikim në parlament pas votimit të mocionit të opozitës për rrëzimin e qeverisë aktuale.

Në një komunikatë të qeverisë thuhet se "pas diskutimeve të partnerëve të koalicionit qeverisës PDK-LDK, ku ishin të pranishëm edhe përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, u arrit dakordimi që mbledhja e kabinetit qeveritar ku do të shqyrtohet Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi, të mbahet pas seancës së Kuvendit të Republikës së Kosovës, që do të zhvillohet të mërkurën".

Më tej në komunikatë thuhet se qeveria "shpreh përkushtimin e saj të plotë, që në bashkëpunim të ngushtë me partnerët strategjikë ndërkombëtarë, SHBA-të dhe BE-në, të adresojë me prioritet dhe përkushtim të plotë çështjen e Ratifikimit të Kufirit Shtetëror me Malin e Zi, si një prej vendimeve më të rëndësishme për të ardhmen e qytetarëve dhe të shtetit të Kosovës".

Zhvillimet e sotme u paraprinë edhe nga kritika të tërthorta ndërmjet partive të koalicionit qeverisës për mungesë të rezultateve dhe për të kaluarën qeverisëse.

Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa njëherësh kryetar i Lidhjes Demokratike tha gjatë fundjavës se partia e tij nuk frikësohet nga vota e qytetarëve dhe se sipas tij qeverisja ka një rend i cili duhet të respektohet.

Në qofte se qytetari i Kosovës dëshiron të ketë qeveri të pa korruptuar, në qoftë se qytetarët e Kosovës duan të kenë ministra të pakorruptuar, në qoftë se qytetarët e Kosovës dëshirojnë të kenë ministra që e dinë punën e vet dhe që e bëjnë punën e tyre, një qeveri qe ka marrëdhënie shumë të mira me institucionet e Bashkimit Evropian, me SHBA-të, me institucionet financiare ndërkombëtare, atëherë ata e dinë zgjedhjen e tyre”, tha ai duke nënvizuar se partia e tij është e përkushtuar që të marr vendime në partneritet me SHBA-të dhe partnerët tjerë euroatlantikë.

“Ata që mendojnë që ne duhet të rikonfigurojmë kufij tjerë jashtë SHBA-ve dhe jashtë NATO-së, vetëm sa mund të na dëmtojnë edhe neve edhe veten sepse këta janë kufijtë, kjo është miqësia jonë me SHBA-të dhe kjo është garancia për kufijtë tanë. Ne jo vetëm që i kemi vënë kufijtë me SHBA-të por ne jemi marrë vesh që këta kufij t’i ruajmë bashkërisht me SHBA-të dhe me NATO-n”, tha ai.

Por, partia e kryeministrit Mustafa vazhdon të mos ketë votën e disa deputetëve të saj për marrëveshjen mbi kufirin me Malin e Zi, gjë që ka vënë në pikëpyetje nëse kjo marrëveshje mund të kaloj në parlamentin e Kosovës.

Në shtator të vitit të kaluar, qeveria tërhoqi projektligjin në mungesë të votave.

Partneri i saj në koalicionin qeverisës, Partia Demokratike e Kosovës, ka akuzuar Lidhjen Demokratike për nxitim në çuarjen e marrëveshjes për kufirin me Malin e Zi, pa një siguri se mund të sigurojë votat e deputetëve të saj. Në të njëjtën kohë nuk ka kundërshtuar shkuarjen e vendit në zgjedhje dhe ka shtuar kritikat ndaj partnerit të saj.

Kryetari i Partisë Demokratike Kadri Veseli, njëherësh kryetar i Parlamentit të Kosovës tha të dielën se kryeministri Mustafa duhet të sigurojë që në të njëjtën kohë të ketë edhe votat e sigurta të partisë së tij.

“Unë shpresoj se LDK-ja do t’i sjell 33 nënshkrime të grupit parlamentar. Në të njëjtën kohë, në momentin që LDK-ja është e gatshme me 33 nënshkrime, do t’i sjellim edhe ne 36 nënshkrimet tona dhe i kemi mundësitë të mbajmë një seancë të jashtëzakonshme e cila do të jetë para të mërkurës. Për arsye se të mërkurën është caktuar me rregullore mocioni i mosbesimit. Tani më në bazë të procedurave të parlamentit kemi një materie e cila është në rend dite”, tha zoti Veseli.

Çështja e marrëveshjes për shënimin e kufirit me Malin e Zi ka nxitur mospajtime të thella në Kosovë që çuan në krizë politike. Opozita e cilëson marrëveshjen të dëmshme dhe sipas saj Kosova humbë mbi 8 mijë hektarë tokë. Debati për kufirin në Kosovë është përcjellë për një kohë të gjatë me skena të dhunshme në parlament e ndonjëherë edhe jashtë tij ndërsa opozita ka paralajmëruar se do të kundërshtojë me të gjithë mjetet ratifikimin e marrëveshjes.

Mungesa e votave dhe bashkërenditjes për të votuar çështjet me rëndësi për vendin, siç është ratifikimi i marrëveshjes për shënimin e kufirit me Malin e Zi, ka shtuar zërat edhe nga vet përfaqësuesit politik të koalicionit qeverisës për të çuar vendin në zgjedhje të parakohshme.

Të premten, partitë opozitare dorëzuan një mocion mosbesimi ndaj qeverisë si rrugë për përshpejtimin e zgjedhjeve të përgjithshme. Mocioni është nënshkruar edhe nga disa deputetë të Partisë Demokratike në pushtet, të cilët kanë shprehur pakënaqësinë e tyre me punën e qeverisë.

Kryesia e Parlamentit të Kosovës caktoi për të mërkurën seancën e radhës kur do të votohet mocioni për mosbesim ndaj qeverisë dhe deri më tani, partnerët e koalicionit kanë dërguar sinjale të ndryshme.

Por, çështja e zgjedhjeve përveç konsensusit të brendshëm kërkon edhe bashkërendim me mekanizmat ndërkombëtarë në Kosovë, që të paktën deri tash nuk kanë dhënë asnjë shenjë se mund të mbështesin zgjedhjet e parakohshme.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG