Lidhje

Kosovë: Ende e paqartë se çfarë ka ndodhur në komunën e Deçanit


Autoritetet në Kosovë po vazhdojnë përpjekjet për të kuptuar se çfarë ka ndodhur në rajonin e Deçanit ku mbi një mijë veta kërkuan ndihmë mjekësore përgjatë disa ditëve me shenja helmimi.

Të mërkurën drejtori i Qendrës së Mjekësisë Familjare në Deçan rreth 75 kilometra në perëndim të Prishtinës, se nga ora shtatë e mëngjesit e deri në orën 11:00, janë paraqitur 55 qytetarë me ankesa të njëjta.

“Në 24 orët e fundit kemi pranuar gjithsej 310 pacientë me simptomatologji të njëjtë siç kanë qenë ditëve përpara. Ndërsa që nga data 10 deri me 14 të këtij muaji janë pranuar gjithsej, një mijë e 62 pacientë”, tha zoti Berisha.

Deçani shpalli të martën gjendjen emergjente pas situatës së krijuar dhe dyshimet e para u hodhën te furnizimi me ujë nga kompania rajonale e ujësjellësit “Hidrodrini”. Por, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike tha se analizat fiziko-kimike nuk flasin për ndonjë problem me ujin e pijshëm, ndërsa analizat bakteriologjike kërkojnë më shumë kohë.

Kryetari i komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, tha se me rekomandim të Institutit të Shëndetësisë Publike është vënë sërish në funksion ujësjellësi në këtë komunë. Por, në në një vendim të kësaj komune thuhet se “uji duhet të shfrytëzohet vetëm për nevoja sanitare, ndërkaq për nevoja të amvisërisë të përdoret vetëm pasi të jetë vluar”.

Të martën zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi, i tha Zërit të Amerikës se janë duke u kryer hetime lidhur me dy raste te vdekjes që dyshohet se janë të lidhura me situatën dhe se trupat e pajetë janë dërguar për autopsi në Institutin e Mjekësisë Ligjore.

Por, zoti Berisha tha se nuk mendon që këto dy raste lidhen me situatën e krijuar me helmimet, megjithatë fjalën e fundit do ta jap Instituti i Mjekësisë Ligjore.

Edhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia tha se dy rastet e vdekjeve nuk kanë të bëjnë me situatën.

Në pritje të rezultateve të analizave të ujit dhe gjetjes së shkaktarëve që cuan në situatën e fundit në Deçan, ambasada amerikane i ka këshilluar qytetarët amerikanë të shmangin përdorimin e ujit nga ujësjellësi lokal në atë komunë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG