Lidhje

Reagime për vrasjen e dyfishtë brenda familjes në Kosovë


Nga një parakalim në Prishtinë kundër dhunës ndaj grave
Nga një parakalim në Prishtinë kundër dhunës ndaj grave

Në Kosovë, autoritetet e drejtësisë dhe policisë filluan një hetim të gjerë pas shqetësimeve se kanë dështuar në parandalimin e një vrasjeje të dyfishtë brenda një familjeje në komunën e Gjakovës.

Një burrë 43 vjeç, qëlloi më armë automatike dhe vrau të martën në fshatin Brekoc të komunës së Gjakovës, ish gruan e tij 40 vjeçare dhe vajzën e tij 9 vjeçare.

Reagime për vrasjen e dyfishtë në Kosovë
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:06 0:00

Sipas hetimeve të para gruaja ishte kërcënuar nga ish-bashkëshorti disa orë para se ai të kryente vrasjen dhe ajo kishte raportuar në polici, e cila nuk kishte arritur të arrestojë kërcënuesin atë apo të marrë nën mbrojtje tashmë të ndjerën.

Inspektorati Policor i Kosovës, tha të enjten se ka filluar hetimin paraprak ndaj disa zyrtarëve policor të në Gjakovë lidhur me dyshimet për "neglizhencë dhe moskryerje të detyrave”.

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, përmes një komunikate për media, tha se ka kërkuar nga Prokuroria Themelore në Gjakovë që urgjentisht të fillojë grumbullimin e informatave për të vërtetuar çdo mosveprim, i cili mund të cilësohet si element i ndonjë vepre penale.

“Nëse konstatohen veprimet e tilla, të nxirret menjëherë aktvendimi për fillimin e hetimeve kundër çdo personi të përfshirë në kryerjen e veprimeve apo mosveprimeve, që ndërlidhen me kërcënimet ndaj gruas dhe vajzës së vrarë para disa ditësh”, thuhet në njoftim.

Vrasja ngriti reagime në shkallë të gjerë të organizatave për të drejtat e njeriut, dhe institucioneve vendase e ndërkombëtare.

Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës akuzoi organet shtetërore për dështim në mbrojtjen e viktimave.

"Është koha e fundit të reagojmë ndaj vrasësve të grave dhe vajzave. Është mese e rëndësishme të vihen para drejtësisë kryesit e dhunës. Është mese e rëndësishme që institucionet përgjegjëse dhe individ që veprojnë në këto institucione të marrin ndëshkimin e duhur nga shoqëria. Ndëshkim moral dhe ndëshkim ligjor për mbrojtësit e vrasësve, për mirëmbajtësit e rendit patriarkal, për të cilët jeta e grave dhe e vajzave nuk ka kurrfarë vlere", thuhet në reagimin e këtij rrjeti i cili ka paralajmëruar edhe protesta.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, u shpreh i tronditur nga ngjarja dhe bëri thirrje për veprime ndaj atyre që e "neglizhuan rastin, duke mos parandaluar krimin. Siguria e qytetarëve tanë duhet të jetë prioritet i të gjitha institucioneve tona” shkroi presidenti Thaçi në rrjetet sociale.

“Privimi i jetës së dikujt është veprimi më jo njerëzor dhe më i papranueshëm. Si kryeministër i vendit, e dënoj fuqishëm vrasjen e nënës dhe vajzës së saj në Brekoc të Gjakovës. Përgjegjësit e këtij akti duhet të marrin përgjigjen e duhur nga drejtësia”, shkroi kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj

Ndërkohë ambasadori amerikan në Prishtinë, Greg Delawe, u shpreh i trishtuar dhe i zemëruar thellësisht nga kjo vrasje. “Është tragjike se ato nuk ishin të mbrojtura. Programi ynë ‘sundimi i ligjit’ është duke punuar me policinë, prokurorët, gjyqtarët për t'u siguruar që ankesat për dhunë në familje të marrin vëmendje të menjëhershme”, shkroi ambasadori amerikan.

Misioni i OSBE-së në Kosovë u shpreh i tronditur dhe i pikëlluar me "vrasjen e tmerrshme në Gjakovë. Kjo tragjedi tregon nevojën për më shumë ndërgjegjësim shoqëror dhe fuqizim të veprimit të ligjit ndaj dhunës në familje".

Të enjten në Gjykatën Themelore të Gjakovës ka filluar seanca dëgjimore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj kryerësit të kësaj vepre, por gjendja e tij shëndetësore është përkeqësuar dhe kjo seancë është ndërprerë për të vazhduar kurdo që mjekët vlerësojnë se gjendja e tij është e qëndrueshme.

Sipas autoriteteve, brenda një viti në Kosovë, raportohen mesatarisht 1 mijë e 300 raste të dhunës dhe mbi 900 prej tyre janë raste të dhunës ndaj gruas.

Ndonëse raportimi i rasteve të dhunës sipas veprimtarëve humanitar shënon rritje të ndërgjegjësimit për këtë çështje, rastet e raportuara nuk pasqyrojnë përmasat reale të problemit, meqë edhe më tej në masë të konsiderueshme, dhuna në familje trajtohet si problem i brendshëm që duhet të mbetët brenda mureve të shtëpisë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG