Lidhje

Kosovë: KQZ shpalli rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve


Sipas këtyre rezultateve, PDK ka 37 vende të Parlament, LDK 30, Vetëvendosje 16, AAK 11 dhe Nisma për Kosovën 6 vende.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shpalli rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të tetë qershorit në Kosovë të cilat nuk kanë shënuar ndonjë ndryshim të madh nga rezultatet paraprake.

Sipas këtyre rezultateve, Partia Demokratike e Kosovës do të ketë 37 vende në Parlament, Lidhja Demokratike 30, lëvizja Vetëvendosje 16 vende, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës 11 deputetë dhe Nisma për Kosovën 6 deputetë, ndërsa 20 deputetë do t’u takojnë partive politike nga radhët e pakicave kombëtare.

Rezultari i zgjedhjeve në Kosovë
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:40 0:00

Partitë politike kanë 24 orë afat për të paraqitur ankesat e tyre të mundshme të cilat duhet të zgjidhen në afat prej pesë ditësh. Në fund të këtij procesi bëhet certifikimi i zgjedhjeve pas të cilit ka një afat prej 30 ditësh për mbledhjen e parlamentit të ri. Ngritja e institucioneve të reja që kësaj radhe duket punë më e vështirë për shkak të zhvillimeve politike.

Pas shpalljes së rezultateve paraprake Lidhja Demokratike, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, lidhën një marrëveshje për themelimin e qeverisë së re duke pretenduar se kanë të drejtë për një gjë të tillë meqë kësisoj ata sigurojnë shumicën në Parlament.

Ndërsa, Partia Demokratike që doli e para në zgjedhje, ngulë këmbë se është ajo që duhet të formojë qeverinë në bazë të kushtetutës.

Sipas tekstit të kushtetutës, presidenti i propozon parlamentit kandidatin për Kryeministër, në këshillim me partinë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën e nevojshme në Parlament për të formuar Qeverinë. Kandidati për Kryeministër, jo më vonë se pesëmbëdhjetë ditë pas emërimit, paraqet përbërjen e Qeverisë dhe kërkon miratimin nga ana e Parlamentit. Nëse përbërja e propozuar e Qeverisë nuk merr shumicën e votave të nevojshme, Presidenti brenda dhjetë ditësh emëron kandidatin tjetër sipas së njëjtës procedurë. Nëse as herën e dytë nuk zgjidhet Qeveria, atëherë Presidenti i Kosovës i shpall zgjedhjet, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se dyzet ditë nga dita e shpalljes së tyre.

Interpretimet janë të ndryshme varësisht edhe nga përkatësia politike e njohësve të kushtetutës dhe debatet shpesh të nxehta rreth kësaj çështjeje bënë që presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga, t’i drejtohet gjykatës kushtetuese me kërkesën për qartësim të rolit të saj kushtetues kundruall formimit të qeverisë së Kosovës.

Presidentja Jahjaga, veprimi i së cilës është mbështetur edhe nga diplomatët perëndimorë, konsideron se me këtë veprim sigurohet një proces i drejtë dhe i besueshëm, që do të garantojë funksionimin demokratik të institucioneve të shtetit.

Ndonëse tashmë zhvillimet do të varen shumë nga interpretimi që do t’u bëjë gjykata kushtetuese kërkesave të presidentes, vëzhguesit thonë se cilido që të jetë vendimi, procesi i krijimit të qeverisë do të jetë punë e vështirë sikurse edhe qëndrueshmëria e saj.

Tri partitë opozitare që nënshkruan marrëveshjen kanë nevojë për votat e lëvizjes Vetëvendosje e cila është deklaruar në mbështetje të një koalicioni që do të linte jashtë qeverisë Partinë Demokratike të Kryeministrit në detyre Hashim Thaçi, por ka kushtëzuar mbështetjen mes tjerash me pezullimin e bisedimeve më Serbinë, një kërkesë vështirë e zbatueshme për partitë tjera.

Ndërkaq, Partia Demokratike me kushtin që të ketë votat e të gjitha pakicave kombëtare do të ketë nevojë për të paktën 4 vota që duhet të provojë t’i peshkojë diku në radhët e partive rivale.

Debatet kanë nxjerrë edhe ide nga më të ndryshmet përfshirë edhe atë për ngritjen e një qeverie gjithëpërfshirëse me mbështetjen e një pjese të diplomacisë ndërkombëtare për shkak të sfidave që e presin vendin në vijim.

Sidoqoftë, pritet te shihet nëse opinioni i gjykatës kushtetuese, do të ndihmojë formësimin e procesit dhe të shmangë mundësinë që vjeshta të jetë stinë e re zgjedhjesh në Kosovë.

XS
SM
MD
LG