Lidhje

Statusi i Kosovës dhe zgjedhjet në veri


Beogradi kërkon zgjedhje të paanshme ndaj statusit politik të Kosovës, Prishtina thotë se ato do të mbahen sipas ligjeve të saj. OSBE-ja pret kompromis

Misioni i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, pret që Beogradi dhe Prishtina të zgjidhin të gjitha çështjet e hapura lidhur me zgjedhjet komunale që do të mbahen në Kosovë më 3 nëntor, përfshirë edhe komunat veriore të banuara me shumicë serbe.

Autoritetet serbe thonë se zgjedhjet duhet të jenë të paanshme ndaj statusit politik të Kosovës, përfshirë edhe fletëvotimet për këto zgjedhje, që nuk mund të kenë, siç thuhet, shenja të shtetësisë së saj.

Përgatitjet për zgjedhjet lokale në Kosovë
please wait

No media source currently available

0:00 0:05:16 0:00

Në Prishtinë, autoritetet po u bëjnë thirrje serbëve të dalin në zgjedhje për të siguruar përfaqësimin e tyre të ligjshëm në institucione, ndërsa tërheqin vëmendjen se në marrëveshjen e 19 prillit thuhet se zgjedhjet do të mbahen sipas ligjeve të Kosovës, që nënkupton edhe fletëvotime të njëjta për tërë vendin.

Zëdhënësi i Organizatës për Siguri e Bashkëpunim në Evropë Nikola Gaon, tha se pret një marrëveshje të palëve për këtë çështje.
Nikola Gaon
Nikola Gaon

Ne besojmë se zgjidhja më e mirë është ajo që do të jetë e pranueshme në mënyrë të ndërsjellë, pra e pranueshme për të gjitha palët”, tha zëdhënësi Gaon, duke nënvizuar se organizata e tij do të zbatojë çdo gjë që është pjesë e marrëveshjeve të të dyja palëve.

Ndërkaq, analisti Leon Malazogu nga organizata Demokraci për Zhvillim, thotë se Prishtina nuk duhet të lëshojë pe dhe fletëvotimet duhet të jenë me simbolet shtetërore të Kosovës. Ai tha se kjo do të jetë sprova kryesore nëse serbët e veriut do të marrin pjesë në zgjedhjet dhe jetën institucionale të Kosovës, apo do të vazhdojnë që në emër të paanshmërisë ndaj statusit të sfidojnë faktin që janë pjesë e Kosovës.

Problemi është edhe më serioz, sepse tani për tani kemi lider në veri të cilëve u ka skaduar mandati, kështu që nuk janë as kryetar të komunave të ligjshëm e as legjitim, as para kornizës ligjore të Serbisë, as të Kosovës dhe as para qytetarëve të tyre. Tani, në qoftë se pranohet fletëvotimi pa emblemën e Kosovës, atëherë mund të kemi një situatë kur do të kemi liderë në veri të cilët janë të ligjshëm, janë legjitim dhe e sfidojnë Prishtinën dhe mund të kenë një qëndrim shumë agresiv ndaj Prishtinës”, tha zoti Malazogu.

Ai nuk beson që çështja e fletëvotimeve do të çonte në bojkotimin e zgjedhjeve nga serbët në veri, sepse, sipas tij, ky nuk do të ishte një veprim i leverdishëm politik për ta.
Leon Malazogu
Leon Malazogu

Ata kanë leverdi nga bojkoti vetëm nëse bojkoti është i tërësishëm. Nëse, prapë se prapë zgjedhjet do të mbahen dhe do të ketë një dalje dhe do të legjitimohen strukturat e reja, siç mendoj se do të ndodhë, atëherë bojkoti i pjesshëm atyre nuk u leverdisë. Prandaj, mendoj se nuk kanë pozitë negociuese aq të fuqishme sepse do ta kenë shumë të vështirë që të sforcojnë një bojkot total, sepse që të kemi bojkot total, ata duhet në mënyrë aktive të dëmtojnë procesin zgjedhor, do të thotë duke kërcënuar, gjë që e kanë shumë të vështirë ta bëjnë duke pasur parasysh trysninë e bashkësisë ndërkombëtare”. tha zoti Malazogu.

Zgjedhjet në veri do të zhvillohen me angazhimin e Misionit të Organizatës për Siguri e Bashkëpunim në Evropë dhe ky fakt sipas zotit Malazogu është shumë i rëndësishëm. Por, ai thotë se roli i kësaj organizate duhet të sqarohet deri në fund.

Nuk e kuptoj paksa këtë qëndrimin dualist, në një aspekt paraqitet si një fasilitues, apo disa thanë “postier”, e në të njëjtën kohë edhe si negociues se si do të duken fletëvotimet, që pjesërisht i hyhet në mandat edhe zonjës (Catherine) Ashton, do të thotë dialogut në Bruksel, nëse kjo veç është një nga temat e Brukselit. Kështu që në këtë aspekt duhet të kemi një qartësi më të madhe, por në përgjithësi mendoj se roli i OSBE-së mund të jetë shumë pozitiv”, tha zoti Malazogu.

Roli ynë është tërësisht i përcaktuar dhe ai rrjedh nga marrëveshja e arritur ne Bruksel më 19 prill dhe aty qartazi thuhet se ne do të lehtësojmë organizimin e zgjedhjeve në katër komunat veriore të Kosovës”, thotë zëdhënësi Gaon. Ai shpjegon se aktualisht organizata po ndihmon në përgatitjen e listës së votuesve për komunat veriore dhe më kohë do të lehtësojë votimet e personave të zhvendosur Në ditën e zgjedhjeve thotë ai, ekipet do të jenë të pranishme në komisionet komunale të zgjedhjeve në veri dhe në qendrat e votimeve.

Ne po bëhemi gati për tre nëntorin dhe shpresojmë sinqerisht që të gjitha çështjet e hapura do të zgjidhen sa më parë që është e mundur” tha ai.

Pjesëmarrja e serbëve të komunave veriore në zgjedhjet komunale, është pjesë e marrëveshjes së 19 prillit e arritur ndërmjet kryeministrave të Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi e Ivica Daçiç.

Në fund të këtij muaji, kryeministrat e të dyja vendeve pritet të takohen sërish në Bruksel për të diskutuar zbatimin e marrëveshjes që është kusht për përparimin e të dyja palëve drejt integrimeve evropiane. Mbase një pjesë e madhe e çështjeve të hapura, duhet të presin atë takim për t’u zgjidhur.
XS
SM
MD
LG