Lidhje

Përfundojnë zgjedhjet komunale në Kosovë


Mbi 45 për qind e votuesve kanë marrë pjesë në zgjedhjet për pushtetin komunal, të parat ku ishin përfshirë edhe komunat veriore më shumice serbe

Në orën 19 janë mbyllur rreth 800 qendrat e votimit në 38 komuna të Kosovës, ku sot është votuar për pushtetin komunal.

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, tha se sipas të dhënave paraprake, diç më shumë se 45 për qind e mbi një milion e 700 mijë votuesve të regjistruar kanë shfrytëzuar të drejtën e tyre që të zgjedhin kandidatët e mbi 100 subjekteve politike për të drejtuar 38 komuna të vendit.

Në këto të dhëna nuk është përfshirë pjesëmarrja e votuesve në katër komunat veriore të Kosovës të banuara me shumicë serbe, ku votimet u përmbyllen më incidente dhe paqartësi.

Zyrtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve thanë se kryesisht nuk ka pasur vështirësi në rrjedhën e procesit përveç në veriun e Kosovës.

Mbi 100 subjekte politike morën pjesë në këto zgjedhje dhe prej tyre 33 nga radhët e komunitetit serb.

Autoritetet vendase thonë se këto zgjedhje janë të rëndësishme për qytetarët Kosovës, për tërësinë e saj tokësore, ndërsa besojnë se rrjedha e tyre do të ketë ndikim edhe në çuarjen përpara të aspiratave të Kosovës për integrim në Bashkimin Evropian.

Gjithsej 224 veta konkurruan për kryetarë komunash dhe sipas sistemit zgjedhor këtë post në rrethin e parë e fiton ai që siguron 50 për qind plus një votë, ndërsa nëse kjo nuk arrihet organizohet raundi i dytë ndërmjet dy kandidatëve që kanë fituar më së shumti vota.

Mbi 30 mijë vëzhgues të vendit por edhe nga bota po vëzhgojnë procesin. Vëzhguesit e koalicionit të organizatave joqeveritare Demokracia në Veprim, thanë se janë shënuar disa parregullsi dhe probleme të natyrës teknike në votimet e deritashme, por të cilat nuk ushtrojnë ndikim thelbësorë mbi procesin.

Vëzhguesit ndërkombëtarë pritet që nga e marta të shpalosin vlerësimet e tyre të para për këto zgjedhje të cilat sipas Shefit të Misionit të Bashkimit Evropian për Vëzhgimin e Zgjedhjeve, Roberto Gualtieri janë me rëndësi për të ardhmen e Kosovës.

Kjo ishte hera e parë që Bashkimi Evropian kishte angazhuar mision të posacëm vëzhgues në Kosovë dhe zyrtarët e këtij misioni thanë se është shumë e pazakonshme që BE-ja të vëzhgojë zgjedhje lokale.

Zoti Gualtieri tha se “kjo është një ditë shumë e rëndësishme për demokracinë, për qytetarët në tërë Kosovën, forcimin e demokracisë së saj por edhe për procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.

Edhe ambasadorë të vendeve perëndimore ishin përfshirë në vëzhgimin e zgjedhjeve mbarë vajtja e të cilave vlerësohet me rëndësi për aspiratat e Kosovës për integrime evropiane.

Mbi 5 mijë e 500 pjesëtarë të policisë së Kosovë janë qenë të angazhuar për ruajtjen e një mjedisi të qetë e të sigurt për votimet e sotme dhe deri në orët e mbrëmjes ata kanë shoqëruar mbi 20 persona në lidhje me parregullsitë dhe incidentet e shfaqura gjatë procesit të votimeve.

Gjatë orëve të natës mund të priten rezultate e para të pjesshme të zgjedhjeve të sotme.
XS
SM
MD
LG