Lidhje

Kosovë, KQZ-ja fillon verifikimin e kandidatëve për zgjedhjet e 14 shkurtit


Kosovo/CEC
Kosovo/CEC

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u kërkoi të hënën gjashtë institucioneve të ndryshme të Kosovës që të bëjnë verifikimin e kandidatëve të partive politike për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit.

“Janë dërguar në gjashtë institucione shkresa të veçanta për të kërkuar përshtatshmërinë e kandidatëve me nenin 29 të ligjit për Zgjedhje të Përgjithshme. Këtyre shkresave u janë bashkangjitur edhe listat e kandidatëve për deputet që janë dorëzuar në KQZ. Neni 29 flet për përshtatshmërinë apo aftësinë e kandidatit tregon se kush do të mund të certifikohet si kandidat për deputet”, tha zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

Çfarë parasheh neni 29 i Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme në Kosovë?

Neni 29 Përshtatshmëria/Aftësia e Kandidatit

29.1 Cilido person emri i të cilit paraqitet në Listën e Votuesve është i aftë për certifikim si kandidat përveç nëse ai apo ajo është:

a) gjykatës apo prokuror në Kosovë ose gjetkë;

b) pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës;

c) pjesëtar i Policisë së Kosovës;

d) pjesëtar i Shërbimit Doganor të Kosovës;

e) pjesëtar i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë;

f) kryesues i një agjencie të pavarur;

g) përfaqësues diplomatik;

h) kryesues apo anëtar i KQZ-së;

i) pjesëtar i KZAP-it;

j) anëtar i Komisionit Komunal të Zgjedhjeve;

k) pjesëtar i forcave të armatosura të ndonjë shteti;

l) pjesëtar i ndonjë force policore apo të një trupi të ngjashëm;

m) duke vuajtur dënimin e shqiptuar nga Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë;

n) nën akuzë nga Tribunali dhe ka dështuar të veprojë në përputhje me urdhrin për t’u paraqitur para Tribunalit;

o) me anë të vendimit të gjykatës, përfshirë edhe vendimin e KZAP-it i është hequr e drejta për të qenë kandidat;

p) me anë të vendimit të gjykatës, i është hequr e drejta për të qenë kandidat;

q)i shpallur fajtor për vepër penale me një vendim përfundimtar të gjykatës në tri (3) vitet e fundit;

r) ka dështuar të paguajë gjobën e vënë nga KZAP-i apo KQZ-ja; ose

s) ka dështuar t’i përmbahet ndonjë urdhri të KZAP-it.

29.2 Numri i emrave të dorëzuar të kandidatëve nuk mund të jetë më shumë se dhjetë për qind (10 %) e maksimumit të numrit të ulëseve të caktuara.

29.3 Në rast të paraqitjes së më shumë kandidatëve sesa maksimumi i caktuar, KQZ-ja e redukton listën e kandidatëve deri në numrin që është në pajtim me dispozitat e këtij neni.

29.4 Nëse kandidati i cili është certifikuar nga KQZ-ja është apo ka arritur statusin sipas të cilit ai apo ajo humb aftësinë për të qenë kandidat sipas dispozitave të paragrafit 1 të këtij neni, ai person decertifikohet nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe largohet nga lista e kandidatëve të subjektit politik në fjalë.

29.5 Asnjë person i zgjedhur anëtar i një organi tjetër legjislativ, nuk mund të ketë ulëse në Kuvendin e Kosovës. Anëtari i Kuvendit i cili pas marrjes së ulëses së tij apo saj në Kuvend është apo bëhet anëtar i një trupi tjetër të zgjedhur legjislativ, humb mandatin e tij apo saj në Kuvend.

29.6 Një punëtor publik i cili përpiqet të fitojë një ulëse në Kuvend duhet të marrë pushim të lejuar mungese me efekt nga data e fillimit të periudhës së fushatës.

29.7 KQZ-ja i publikon listat e certifikuara të kandidatëve në afat brenda pesë (5) ditëve pas certifikimit dhe secilin ndryshim në të brenda pesë (5) ditëve tjera shtesë.

29.8 Kandidati nuk mund të garojë për pozitë në më shumë se një listë kandidatësh të një subjekti politik, koalicioni, nisme qytetare, apo të garojë si kandidat i pavarur në të njëjtën kohë.

29.9 Paraqitja e qëllimshme e të dhënave të pavërteta që lidhen me paragrafin 1 ose 5 të këtij neni konsiderohen shkelje të dënueshme në pajtim me rregullat e KZAP-it.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka kërkuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, ministria e Punëve të Brendshme, Agjencia e Kosovës për Inteligjencë, ministria e Jashtme dhe ministria e Mbrojtjes që të bëjnë verifikimin e kandidatëve nëse janë siç thuhet në përputhje me nenin 29 të ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme.

Verifikimi i listave të deputetëve pritet të bëhet mbështetur në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila në fillim të muajit janar tha se asnjë person nuk mund të fitojë dhe mbajë mandat të vlefshëm të deputetit nëse është i dënuar për vepër penale, sikurse parashihet me kushtetutë apo ligjin për zgjedhjet e përgjithshme, me vendim gjyqësor të formës së prerë, nëse ka një vendim dënues që është në fuqi në Kosovë.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese nxiti debate nëse kryetari i lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, mund të kandidojë pasi që në muajin shtator të vitit 2018, Gjykata e Apelit vërtetoi një vendim të muajit janar të atij viti që dënoi zotin Kurti dhe tre deputetë të lëvizjes Vetëvendosje për hedhjen e gazit lotsjellës në Parlamentin e Kosovës.

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi tha se do të veprohet në bazë të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese si dhe ligjit për Zgjedhje të Përgjithshme.

“Kemi kërkuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës të na dërgoj emrat e personave nga lista e kandidatëve nëse janë gjykatës, nëse janë subjekt i vendimit të gjykatës për të cilën i është hequr e drejta për të qenë kandidatë dhe nëse janë shpallur fajtor për një vepër penale me një vendim përfundimtarë të gjykatës në tri vitet e fundit”, tha ai.

28 subjekte politike, nga të cilat 21 parti, dy koalicione dhe pesë nisma qytetare, janë regjistruar për të marrë pjesë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, që do të mbahen më 14 shkurt. Procesi i verifikimit të kandidatëve të subjekteve politike pritet të përmbyllet deri më 20 janar.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG