Lidhje

Deputetët evropianë të shqetësuar me deportimin e shtetasve turq nga Kosova


Njëzetetetë deputetë të Parlamentit Evropian u kanë dërguar një letër presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe kryeministrit Ramush Haradinaj, nëpërmjet së cilës shprehin shqetësim për arrestimin dhe deportimin e shtetasve turq të kërkuar nga Ankaraja.

Në letrën që ishte nismë e deputetit të Parlamentit Evropian, Igor Sholtes, njëherësh raportues për Kosovën dhe deputetes Rebeka Harms, thuhet se "në fillim të muajit prill, u alarmuam për rastin e gjashtë shtetasve turq që u ndaluan në Kosovë dhe u deportuan në Turqi si pasojë e lidhjeve të tyre të pretenduara me lëvizjen 'guleniste'. Lejet e tyre të qëndrimit janë anuluar pa asnjë procedurë ligjore dhe u deportuan pa asnjë gjykim apo kontakt me avokatët e tyre në kundërshtim me parimet e sundimit të ligjit. Ne kritikojmë ashpër këto ngjarje të rënda".

Në letër theksohet se deputetët ishin alarmuar edhe pas njoftimit të presidentit turk (Recep Tayyipp) Erdogan se më shumë njerëz do të ekstradohen nga Kosova në Turqi. "Meqë Kosova është pjesë e procesit të pranimit, ajo duhet t’i ndjekë standardet evropiane. Sundimi i ligjit është parim themelor i Bashkimit Evropian. Jemi të shqetësuar se është harruar tërësisht se vendet janë moralisht dhe ligjërisht të detyruara të respektojnë konventat dhe protokollet ndërkombëtare, që janë hartuar për të mbrojtur dinjitetin themelor njerëzor dhe janë zbatuar për shekuj me radhë nga civilizimi ynë. Ne duhet të përpiqemi për një shoqëri gjithëpërfshirëse e jo për një që ekstradon njerëz mbi bazën e lidhjeve të dyshuara politike".

Ne letër kërkohet "me ngulm" që të respektohen të gjitha procedurat ligjore në pajtim me parimet dhe standardet evropiane. Të gjitha veprimet e ndërmarra nga autoritetet lokale të Kosovës duhet të respektojnë sundimin e ligjit dhe promovimit të respektit universal dhe respektimit të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut. Procedurat arbitrare në lidhje me arrestimin, ndalimin apo ekstradimin janë në kundërshtim me këto parime.

"Ne besojmë tek autoritetet e Kosovës që të mbajnë qëndrim të fuqishëm për të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit dhe se do t’u rezistojnë trysnisë së Turqisë në mënyrë sistematike", thuhet në letrën e deputetëve të Parlamentit Evropian.

Më 29 mars, gjashtë shtetas turq, të lidhur me institucionet e klerikut turk Fethullah Gulen të cilin presidenti turk Recep Tayyip Erdogan e fajëson për një përpjekje grusht shteti në Turqi, dy vjet më parë, u deportuan në një operacion ende të pasqaruar të kryer nga shërbimet e zbulimit të të dyja vendeve.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, shkarkoi ministrin e Brendshëm Flamur Sefaj dhe shefin e Agjencisë së Zbulimit, Driton Gashi dhe kërkoi hetim dhe raportim nga institucionet e sigurisë dhe drejtësisë për këtë rast.

Operacioni është kritikuar ashpër nga organizatat e te drejtave të njeriut dhe njohësit e drejtësisë, që thanë se deportimi në mënyrën si ka ndodhur paraqet shkelje të Kushtetutës së Kosovës si dhe të konventave ndërkombëtare për të drejta të njeriut.

Kosova është një nga vendet e rajonit që i është nënshtruar trysnisë për arrestimin dhe dorëzimin e "gulenistëve" të kërkuar nga Ankaraja.

Presidenti turk falënderoi presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, ndërsa sulmoi kryeministrin Ramush Haradinaj për qasjen ndaj operacionit dhe shkarkimin e zyrtarëve të lartë të sigurisë.

Turqia ka arrestuar më shumë se 50 mijë veta në operacionet kundër mbështetësve të dyshuar të Fethullah Gulenit, klerikut që akuzohet se qëndronte prapa grusht shtetit të korrikut të vitit 2016.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG