Lidhje

Jean Paul Jacque – heton EULEX-in


Përfaqësuesja e lartë për politikë të jashtme e BE-së, Federica Mogheirni emëroi një ekspert të pavarur për hetime në EULEX

Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian Federica Mogherini emëroi francezin Jean Paul Jacqué, si ekspert të pavarur për të shqyrtuar zbatimin e mandatit të Misionit të BE-së për sundimin e ligjit me përqendrim në dyshimet e hedhura për korrupsion në radhët e këtij misioni.

Në njoftimin e zyrës së zonjës Mogherini thuhet se “Zoti Jacqué është profesor i nderuar i drejtësisë me përvojë 40 vjeçare. Për më tepër, puna e tij si drejtor i sekretariatit për shërbime juridike të Këshillit Evropian i ofron atij një ekspertizë të veçantë për shqyrtimin e dyshimeve. I kamë kërkuar zotit Jacqué që të më raportojë dhe të jap propozimet e tij brenda katër muajsh”, citohet të ketë thënë zonja Mogherini.

Në fund të muajit ta kaluar zyrtarët e EULEX-it thanë se janë duke hetuar dyshimet e publikuara në një seri shkrimesh të së përditshmes Koha Ditore, se zyrtarë të tij mund të kenë marrë para në këmbim të lirimit të disa të akuzuarve për vepra penale. Zyrtarë të EULEX-it besojnë se dokumentet kanë rrjedhur nga prokurorja britanike e këtij misioni Maria Bamieh, e cila është pezulluar nga puna dhe ndaj saj thuhet se ka filluar një proces i hetimeve administrative.

Hedhja e dyshimeve të tilla nxiti shume reagime pas të cilave zonja Mogherini vendosi emërimin e një eksperti të pavarur. Ajo tha të hënën se emërimi i zotit Jacqué dëshmon përkushtimin për të ndriçuar këto dyshime, ndërsa ritheksoi mbështetjen për misionin e EULEX-it.

Shefi i EULEX-it, Gabriele Meucci, tha sot se misioni i tij do të bashkëpunojë në tërësi me hetuesin e pavarur.

Unë e mirëpres ardhjen e zotit Jacqué në Prishtinë. Ky shqyrtim është në pajtim me dëshirën time për ta zbatuar politikën e zero tolerancës ndaj korrupsionit”, citohet të ketë thënë zoti Meucci, duke u zotuar për vazhdim të zbatimit të mandatit të tij dhe të punojë me institucionet e Kosovës për vendosjen e sundimit të ligjit në Kosovë.

Zyrtarë të Bashkimit Evropian janë shprehur të shqetësuar me zhvillimet e fundit dhe mundësinë që ato të dëmtojnë imazhin dhe besimin e EULEX-it, i cili u vendos në Kosovë pas shpalljes së pavarësisë së saj nga Serbia në shkurt të vitit 2008.

Misioni ruan ende fuqi ekzekutive dhe trajton rastet e krimeve te luftës por edhe krimin e organizuar dhe korrupsionin në rastet që vlerësohen me të ndjeshme për t’u trajtuar nga prokurorët dhe gjykatësit vendas.

XS
SM
MD
LG