Lidhje

Fajon: Kosova të përmbushë kushtet për liberalizimin e vizave


Komiteti për liritë civile, drejtësi dhe çështje të brendshme të Parlamentit Evropian, mbështeti të hënën raportin dhe propozimet e raportueses për Kosovën në këtë Parlament, Tanja Fajon për liberalizimin e vizave për Kosovën

Por, komiteti nuk i dha asaj "mandatin për fillimin e negociatave me Këshillin e Bashkimit Evropian për Kosovën".

Komiteti, i cili mbështeti më 25 vota propozimin duke pasur 24 vota kundër, kërkon që Kosova të përmbushë çështjet e mbetura siç janë lufta kundër krimit të organizuar e korrupsionit dhe ratifikimin e marrëveshjes për shënimin e kufirit me Malin e Zi.

Vëzhguesit thonë se zhvillim pozitiv është fakti që çështja nuk do të kthehet më në komitetin për liritë civile, drejtësi dhe çështje të brendshme, por, rruga drejt liberalizimit është ende e gjatë dhe vështirësia themelore qëndron në ndarjet e thella që ekzistojnë në Kosovë rreth kufirit me Malin e Zi.

Më 1 shtator qeveria e Kosovës tërhoqi nga seanca e parlamentit projektligjin për këtë çështje i cili ka nxitur krizën më të thellë politike që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës.

Opozita pohon se marrëveshja e nënshkruar në gusht të vitit 2015, e dëmton Kosovën për mbi 8 mijë hektarë tokë dhe nuk ka hequr dorë nga kundërshtimi i saj, me gjithë vlerësimet edhe ndërkombëtare se shënimi i kufirit është në pajtim më dokumentet në fuqi, përfshirë edhe planin në bazë të të cilit është shpallur pavarësia e Kosovës.

Ratifikimi i marrëveshjes kërkon dy të tretat e votave në parlamentin e Kosovës dhe partitë në pushtet nuk arritën të sigurojnë numrin e mjaftueshëm të tyre për shkak të mospjesëmarrjes në seancë të deputetëve të komunitetit serb por edhe pakënaqësive edhe në radhët e tyre.

Ndonëse të dyja palët bëjnë thirrje për një pajtim rreth kësaj çështjeje, deri tash nuk ka pasur asnjë përpjekje për krijimin e një konsensusi rreth saj.

Kosova mori udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave në qershor të vitit 2012 dhe propozimin katër vjet më pas, por qytetarët e saj edhe më tej janë të vetmit në Evropën Juglindore që nuk mund të udhëtojnë lirshëm në vendet e zonës Shëngen, që përfshinë pjesën më të madhe të vendeve të Bashkimit Evropian.

XS
SM
MD
LG