Lidhje

Zhgënjim dhe pritje për liberalizimin e vizave


Në Kosovë autoritetet shpresojnë që KE të dalë javën e ardhshme me vlerësim pozitiv për përmbushjen e kritereve për liberalizimin e vizave. Megjithatë shprehen të zhgënjyer me vonesat

Autoritetet në Kosovë, megjithatë, shpresojnë që në ditët në vazhdim të marrin vlerësim pozitiv për përmbushjen e kritereve për liberalizimin e regjimit të vizave.

Kosova në pritje për vizat
please wait

No media source currently available

0:00 0:04:24 0:00

Këshilli i Bashkimit Evropian, në përfundimet e pakos së zgjerimit të publikuar të martën, “nënvizoi rëndësinë e përmbushjes së kushteve për liberalizimin e vizave dhe nxitë Kosovën që të vazhdojë përpjekjet për të përparuar në këtë proces”. Ai nxiti reagime të ashpra në Kosovë ku autoritetet kishin pritur përfundime pozitive rreth këtij procesi.

Komisioni Evropian pritet ta publikojë të mërkurën e ardhshme raportin për këtë çështje dhe nëse vlerësimi është pozitiv, atëherë ai do t’i rekomandojë Këshillit të BE-së heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës. Por, Këshilli Evropian, nuk do ta shqyrtojë këtë çështje para qershorit të vitit 2016.

Kryeministri Isa Mustafa tha se Kosova i ka përmbushur kriteret dhe nuk ka asnjë arsye që Bashkimi Evropian të mos jap rekomandimin për liberalizim.

“Marrëveshja e Stabilizim Asocimit nuk ka vlerë nëse qytetarët mbesin të izoluar e bizneset tona mbesin të izoluara. MSA mbetet vetëm një dokument në letër, pa asnjë vlerë të mirëfilltë të saj. Nuk shohim asnjë arsye që BE të mos i dëshirojë vetëm kosovarët të jenë të barabartë me qytetarët e tjerë. Nëse mund të na argumentojë BE-ja që ne dallojmë diçka nga qytetarët e tjerë të Ballkanit Perëndimor, e jam i sigurt që një vlerësim të tillë nuk mund ta bëjë askush:, tha kryeministri Mustafa i cili për këtë çështje ka diskutuar edhe me përfaqësuesin e posaçëm të BE-së, Samuel Zbogar.

Më i ashpër në qëndrime është shprehur sërish zëvendëskryeministri Hashim Thaçi, i cili e quajti absurde vonesën për rekomandimin e liberalizimit të vizave për Kosovën.

Unë jam i vetëdijshëm që kjo do të ndodhë ose në fund të këtij viti ose në fillim të vitit të ardhshëm, por është krejtësisht i padrejtë ky hezitim në raport me Kosovën. Kjo vonesë në të njëjtën kohë paraqet edhe rreziqe të ndryshme edhe për Kosovën. Mund të nxisë elemente të radikalizmit fetar për të shfrytëzuar këtë vonesë evropiane në raport me Kosovën. Po nxit dhe po shfrytëzohet edhe prej ekstremizmit politik me idetë dhe projektet që nuk janë në përputhje me vlerat euroatlantike të Kosovës. Po nxit dhe po rrezikon migrimin e ri të qytetarëve të Kosovës drejt vendeve të BE-së dhe pastaj përsëri Kosova ka për të paguar çmim”.

Ai tha se kjo vonesë po rrezikon dhe vonon edhe procese të tjera siç është ai për normalizimin marrëdhënieve me Serbinë.

Neve na kërkohet dialog e në anën tjetër, përpos anëtarëve të delegacionit, çdo qytetar është i privuar nga e drejta për të lëvizur në Evropë. Nuk është e mjaftueshme që vetëm bartësit e institucioneve të kenë në pasaportat e tyre viza, kur nuk e ka student, qytetari, punëtori e biznesmeni. Kjo është thirrje e qeverisë së Kosovës ndërgjegjes evropiane në raport me Kosovën”, tha ai.

Zoti Thaçi nënvizoi pasojat që mund të ketë edhe për konsensusin politik qytetar për të ardhmen evropiane të Kosovës.

Me të drejtë sot çdo qytetar i Kosovës nëse nuk ndodhë rekomandimi këto ditë, duhet të ndihet i zhgënjyer dhe i fyer, e me të drejtë krejt skena politike qytetarët, shoqëria civile, mediat mund të protestojmë kësaj radhe para selisë së Zyrës së BE-së në Prishtinë, dy milionë qytetarë për padrejtësitë dhe diskriminimin e BE-së në raport me liberalizimin e vizave për Kosovën, protestë të qetë natyrisht”, tha zëvendëskryeministri Thaçi.

Opozita ndërkaq ka akuzuar qeverinë për dështim në procesin e liberalizimit.

Kosova është vendi i vetëm në Evropën Juglindore, qytetarët e së cilës nuk mund të udhëtojnë pa viza në vendet e Bashkimit Evropian. Ajo mori udhërrëfyesin për këtë çështje në qershor të vitit 2012.

Kosova është e fundit në proceset integruese edhe për shkak të mungesës së konsensusit brenda Bashkimit Evropian, pesë vende anëtare të të cilit vazhdojnë të mos e njohin pavarësinë e saj.

Ajo është e fundit që nënshkroi marrëveshjen e stabilizim asocimit me Bashkimin Evropian më 27 tetor, e cila u mundësua për shkak të marrëveshjeve me Serbinë, e cila të hënën hapi kapitujt e parë të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Këto marrëveshje ndërkaq e kanë çuar Kosovën në një krizë politike disa muajshe për shkak të mospajtimit të partive opozitare që vlerësojnë se marrëveshja për krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe, dëmton sovranitetin e Kosovës.

Partitë opozitare protestuan të mërkurën në Pejë në Kosovën perëndimore, duke kërkuar anulimin e marrëveshjeve me Serbinë si dhe asaj për kufirin me Malin e Zi.

XS
SM
MD
LG