Lidhje

Thaçi: "Shqipëria e Madhe" prodhim i propagandës serbe


Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, reagoi mbrëmjen e së hënës ndaj deklaratave të komisionarit të Bashkimit Evropian Johannes Hahn, i cili më herët gjatë ditës i cilësoi "të papranueshme", deklaratat e udhëheqësve politikë në rajonin e Ballkanit Perëndimor që përfshijnë idetë për ndryshimet e kufijve.

Komisionari Hahn ju referua një interviste të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, për portalin Politico, në të cilën ai citohej të ketë thënë se rruga e hapur drejt integrimeve evropiane dhe perspektiva e qartë janë mënyra e vetme që Ballkani të jetë i qetë “por nëse kjo shpresë, perspektivë, mungon, atëherë bashkimet e vogla mund të ndodhin”. Më pas edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kishte thënë që nëse Bashkimi Evropian e mbyll derën për Kosovën, “atëherë të gjithë shqiptarët në rajon do të jetojnë në një hapësirë të vetme”.

Të hënën në mbrëmje presidenti Thaçi shkroi në facebook se "komisionari Hahn i prekur nga shqetësimet e Serbisë, paska shprehur zhgënjimin e tij për deklaratat që gjoja përfshijnë tendencat për krijimin e Shqipërisë së Madhe. Për më tepër, ai paska shtuar se BE-së nuk mund t’i bëhet presion me deklarata të tilla. Fatkeqësisht kjo dëshmon saktësisht atë që e kam thënë shumë herë deri më tash, se BE-ja ka mungesë të lidershipit dhe vizionit për konkretizimin e perspektivës evropiane për Kosovën. Kjo qasje dëshmon se BE-së, në rastin më të mirë, nuk i bëhet vonë kurrë për Kosovën. Ndërsa, në rastin më të keq, as që do t’ia dijë fare. Diskriminimi dhe izolimi i qytetarëve tanë sot, flet shumë më tepër se deklaratat monotone të disa zyrtarëve të BE-së që përsëriten që nga viti 2000".

Presidenti Thaçi thekson më tej se "projekti i Shqipërisë së Madhe është produkt i propagandës së Serbisë për të realizuar projektin e Serbisë së Madhe, i cili tashmë pothuajse funksionon nën hundën e BE-së. Nuk ka Shqipëri të madhe apo të vogël, por ka vetëm Shqipëri dhe vetëm Kosovë. Dhe do të ishte mirë që edhe BE-ja ta pranojë këtë realitet dhe të fillojë ta trajtojë Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran".

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG