Lidhje

Kosovë, diplomatët perëndimorë kërkojnë shmangien e frikësimeve para zgjedhjeve


Ambasadat e pesë vendeve kryesore perëndimore, Shteteve të Bashkuara, Francës, Gjermanisë, Italisë dhe Mbretërisë së Bashkuar, thanë sot se cdo përpjekje për frikësimin e votuesve është e papranueshme.

Në një komunikatë të përbashkët të këtyre ambasadave thuhet se "ditëve të fundit, përfshirë edhe sot, kemi marrë një numër të konsiderueshëm të raportimeve shqetësuese lidhur me përpjekjet për të ushtruar ndikim përmes frikësimeve dhe kërcënimeve mbi rezultatin e zgjedhjeve në Kosovë. Në veçanti, duket se ekziston një gatishmëri për të frikësuar dhe detyruar pjesëtarët e komunitetit serb të Kosovës që të votojnë në mënyrë të caktuar. Veprimet e tilla janë krejtësisht të papranueshme. Ftojmë të gjithë ata që janë të përfshirë në aktivitete të tilla t'u japin fund atyre dhe u bëjmë thirrje autoriteteve dhe policisë së Kosovës që t'i hetojnë këto raste në plotni".

Reagimi pasoi disa incidente në fushatën zgjedhore përfshirë edhe shoqërimin në stacionin e policisë të Aleksandër Jabllanoviçit, udhëheqës i Partisë së Serbëve të Kosovës.

Zoti Jabllanoviç ishte shoqëruar në polici pas përfshirjes së tij në një zënkë ndërmjet përfaqësuesve të subjekteve të ndryshme politike serbe.

Zoti Jabllanoviç që ishte njëri nga themeluesit e Listës serbe, është ndarë nga ky grup ndërsa ka krijuar partinë e tij. Kjo ndarje ka nxitur reagime të shumta dhe ka përçarë serbët e Kosovës,

Pesë subjekte politike nga radhët e komunitetit serb janë regjistruar për të marrë pjesë në këto zgjedhje, me gjithë përpjekjet e autoriteteve në Serbi për të bashkuar serbët e Kosovës në një listë të përbashkët. Një pjesë e mbledhur rreth Listës serbe, ka përkrahjen e Beogradit zyrtar ndërsa pjesa tjetër akuzon Serbinë për manipulim me qytetarët serb që jetojnë në Kosovë.

Aleksndër Jabllanovic ishte shkarkuar nga posti i ministrit ministrin për kthim dhe komunitete në qeverinë e Kosovës në vitin 2015 për shkak të reagimeve që nxiti me një deklaratë me të cilën mohonte krimet e luftës në Kosovë.

Rivalët e tij politik dhe zyrtarët e Beogradit po e akuzojnë tashmë atë për punë të favor të shqiptarëve.

Diplomatët perëndimorë thanë të martën se "të gjithë qytetarët e Kosovës duhet ta kenë të drejtën që pa kërcënime, ndikime dhe frikë të votojnë ashtu siç ua merr mendja. Këto zgjedhje janë një mundësi për qytetarët e Kosovës t'i zgjedhin përfaqësuesit e tyre. Vetëm qytetarët e Kosovës kanë këtë fuqi dhe përgjegjësi. Si pjesë e komunitetit ndërkombëtarë, ne do të punojmë me këdo që përzgjedhni ju", thuhet në komunikatë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG