Lidhje

BE i kërkon Kosovës votim të shpejtë të marrëveshjes për kufirin me Malin e Zi


Komisionari i Bashkimit Evropian për Migracion, Punët e Brendshme dhe Shtetësinë, Dimitris Avramopoulos, u ka bërë thirrje institucioneve dhe partive politike në Kosovë që ta dërgojnë sa më shpejt për votim në parlament marrëveshjen për shënimin e kufirit me Malin e Zi.

Komentet e zotit Avramopoulos u bënë publike nëpërmjet një komunikate të përbashkët me kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa, më të cilin është takuar të martën në Bruksel.

Kryeministri Mustafa po qëndron në Bruksel në një përpjekje, siç ka thënë, “për t’i bindur zyrtarët evropianë që t’i mundësojnë Kosovës liberalizimin e vizave, ndërsa kushtin për ratifikimin e marrëveshjes për shënimin e kufirit me Malin e Zi ta pezullojnë për dy vjet. Sipas kryeministrit Mustafa, nëse Kosova nuk arrin që gjatë kësaj periudhe ta ratifikojë këtë marrëveshje, regjimi i vizave do të futej sërish në fuqi”.

Në komunikatë thuhet se Komisionari Avramopoulos i ka dhënë Kosovës mbështetjen e plotë në hapat e fundit drejt procesit të liberalizimit të vizave.

“Komisioneri Avramopoulos ka njohur përpjekjet e Kosovës për të ratifikuar marrëveshjen për shënimin e kufirit me Malin e Zi dhe ka inkurajuar kryeministrin Mustafa dhe qeverinë e tij dhe të gjitha partitë politike që ta dërgojnë sa më shpejtë atë për votim në parlament”, thuhet në komunikatën e përbashkët.

Përpjekjet e kryeministrit Mustafa për shtyrjen e afatit me kusht për ratifikimin e marrëveshjes për shënimin e kufirit me Malin e Zi, sipas vëzhguesve ishin përpjekje për 'blerje kohe' pasi që sipas tyre një gjë e tillë është e pamundur për shkak të mënyrës së si funksionon Bashkimi Evropian.

Qeveria ka paralajmëruar dërgimin e kësaj marrëveshje gjatë këtij muaji në parlament, por sfidë ende mbetet sigurimi i votave të mjaftueshme, ku kërkohen dy të tretat e votave të të gjithë deputetëve.

Mungesa e votave dhe bashkërenditjes për të votuar çështjet me rëndësi për vendin, siç është ratifikimi i marrëveshjes për shënimin e kufirit me Malin e Zi, ka shtuar zërat edhe nga vet përfaqësuesit politik të koalicionit qeverisës për të çuar vendin në zgjedhje të parakohshme.

Një dështim i këtij votimi, sipas vëzhguesve, do të mund ta çonte vendin në zgjedhje të parakohshme, pasi që sipas tyre koalicioni aktual është formuar për të çuar përpara çështjet me rëndësi për Kosovën.

Por, çështja e zgjedhjeve përveç konsensusit të brendshëm kërkon edhe bashkërendim me mekanizmat ndërkombëtarë në Kosovë, që të paktën deri tash nuk kanë dhënë asnjë shenjë se mund të mbështesin zgjedhjet e parakohshme.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG