Lidhje

Apostolova: Shmangni afatet artificiale për liberalizimin e vizave


Shefja e zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Natalya Apostolova, u bëri thirrje udhëheqësve të Kosovës që të kenë durim në procesin e liberalizimit të vizave dhe të shmangin shpalljen e, siç tha, afateve artificiale.

Ajo i bëri këto komente gjatë fillimit të fushatës ndërgjegjësuese për procesin e liberalizimit të vizave.

Udhëheqës të institucioneve të Kosovës që nga muaji mars, kur është ratifikuar marrëveshja për kufirin me Malin e Zi, kanë theksuar vazhdimisht se deri në fund të këtij viti do të hiqen vizat për qytetarët e Kosovës.

Zonja Apostolova tha se Kosova ka bërë punë të mirë për të përmbushur kriteret e fundit për liberalizimin e vizave dhe sipas saj duhet të pritet vendimi përfundimtar i autoriteteve evropiane.

“Në këtë fazë, fatkeqësisht nuk mund të parashikojmë se kur do të mund të merret një vendim i tillë dhe prandaj duam të këshillojmë udhëheqësit e Kosovës që të kenë durim dhe të shmangin ngritjen e pritjeve me afate artificiale. Të gjithë mezi presim një regjim pa viza për Kosovën, sepse popullata dhe veçanërisht rinia e saj do të përfitojnë prej tij", tha ajo, duke u bërë thirrje autoriteteve në Kosovë që të punojnë vazhdimisht për përmirësimin e sundimit të ligjit.

“Është e vërtetë që lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar mbetet sfidë kryesore dhe duhet të vazhdojnë reformat e gjera në fushën e sundimit të ligjit, që të çohet përpara dhe jo prapa, siç edhe mund të ndodh ndonjëherë. Nëse ka përparim të përgjithshëm në sundimin e ligjit, kjo do të kontribuojë në përmirësimin e mundësisë për një vendim të mundshëm pozitiv për liberalizimin e vizave që po diskutojmë sot”,tha ajo.

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj tha se tashmë janë përmbushur të gjitha kushtet për liberalizim të vizave, i cili sipas tij nuk do të keqpërdoret nga qytetarët.

“Me liberalizimin e vizave fitohet liria e lëvizjes, jemi qytetarë të lirë dhe na takon se jemi Evropë, është privilegj, por ka edhe obligime dhe duhet të zbatohen me përpikëri pra të gjitha ato obligime ligjore që ka lëvizja e lirë Shengen për qytetarët e një vendi si në këtë rast që është Kosova”,tha ai.

Ministrja e Integrimeve Evropiane Dhurata Hoxha tha se liberalizimi i vizave nuk guxon dhe nuk duhet të keqpërdoret dhe sipas saj Kosova po ndërmerr hapa që të mos rrezikohet ky proces.

“Sfida e radhës janë shtetet anëtare me të cilat jemi duke punuar vazhdimisht, kemi ndërmarr hapa në mënyrë që të adresojmë brengat eventuale të secilit shtet veç e veç. Kemi fuqizuar legjislacionin për të huajt, sigurimin e kufijve, migracionin duke e përshtatur me standard evropiane. Po zbatojmë me përpikmëri marrëveshjet të riatdhesimit dhe jemi të gatshëm të marrim të gjitha masat e nevojshme për të rritur këtë zbatim”, tha ajo.

Muajin e kaluar, Parlamentit Evropian, votoi me shumicë votash në favor të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës. Votimi në parlament u hapi rrugë bisedimeve me vendet anëtare të Bashkimit Evropian për këtë çështje.

Qytetarët e Kosovës aktualisht janë të vetmit në rajonin e Ballkanit perëndimor që duhet të kërkojnë viza për të udhëtuar në vendet e Bashkimit Evropian.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG