Lidhje

Hetohet trajtimi i të ndaluarve serbë


Nëntë pjesëtarë të komunitetit serb të ndaluar për 48 orë gjatë krishtlindjeve ortodokse, akuzojnë policinë e Kosovës për keqtrajtim.

Në Kosovë, Misioni i Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit dhe Inspektorati Policor i Kosovës, kanë filluar hetimet e përbashkëta lidhur me trajtimin e nëntë pjesëtarëve të komunitetit serb që ishin ndaluar një javë më parë gjatë krishtlindjeve ortodokse në Graçanicë afër Prishtinës.

Të ndaluarit, pasi ishin lënë të lirë, kishin deklaruar se janë rrahur nga policia e Kosovës gjatë kohës sa mbaheshin të ndaluar.

Zyrtarë të EULEX-it thanë se “policia e këtij misioni dhe Inspektorati Policor i Kosovës po punojnë bashkë me një prokuror të EULEX-it. Misioni është i shqetësuar për këto akuza të rënda dhe është i përkushtuar, që të zhvillojë një sistem të qëndrueshëm, të përgjegjshëm dhe të paanshëm të drejtësisë”.

Të nëntë pjesëtarët e komunitetit serb ishin ndaluar nga policia e Kosovës gjatë kremtimit të krishtlindjeve ortodokse, në Graçanicë më 7 janar dhe u ishte caktuar masa e ndalimit 48 orësh.

Sipas policisë “personat e dyshuar janë ndaluar pasi që gjatë përcjelljes së shefit të zyrës serbe për Kosovën, Aleksandër Vulin, që ishte përgjegjësi e Policisë së Kosovës kishin sjellje dhe veprime të dyshimta dhe veshje të njëjtë, prandaj për shkak të sigurisë së personalitetit policia i ka ndaluar dhe shoqëruar në stacion policor. Personat e ndaluar gjatë gjithë kohës me dy vetura private kanë përcjellë autokolonën e zotit Vulin dhe kanë kryer veprime të dyshimta për policinë e Kosovës”, thuhej në njoftimin e policisë së Kosovës.

Ata u lanë të lirë në mbrëmjen e 8 janarit dhe pas largimit nga Prishtina deklaruan se ishin keqtrajtuar nga policia e Kosovës.

Autoritete serbe thanë se ky ishte një veprim i padrejtë dhe i motivuar politikisht. Shefi i zyrës serbe për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Aleksandër Vulin tha se veprimet e tilla mund të dëmtojnë edhe procesin e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
XS
SM
MD
LG